Wednesday, July 14, 2021

Ne jetojmë por kemi harruar si jetohet.

Shumica e njerëzve janë kopracë në dhënien e pasurisë, por jo në mbrojtjen e vlerave.

Janë të gatshëm të mbrojnë trupin nga çdo sulm por nuk dinë ta mbrojnë mendjen e tyre nga energjia negative. 

Jemi llogaritarë të aftë për paratë por jo për kohën si dhe ku e shpenzojmë. Koha është pasuria jonë më e pazëvendësueshme - ne nuk mund të blejmë më shumë prej saj.  Ne vetëm mund të përpiqemi të harxhojmë sa më pak të jetë e mundur.

Jemi të aftë të vendosim qëllime për të bërë keq por jo si të konsumojmë të mirat që na rrethojnë.

E dimë se të mirat që kemi mund të na shterohen por nuk e dimë se e mira më e madhe që mund të shterohet nga çasti në çast është koha.

Disa dinë që pasuria më e madhe është shëndeti por të tjerët i analizojnë nga pasuria që fitojnë dhe janë të gatshëm të krijojnë lidhje me ta vetëm pse kanë pasuri.

E dinë se prona mund të merret por janë të gatshëm për të humbur jetën e tyre për atë pronë. 

Jetojmë sikur do e shijojmë jetën 1 mijë vite por vdekja na zë me ndjenjën sikur jetuam më pak se një ditë. 

Luftojmë sikur të mirat janë shumë të pakta dhe frikësohemi se e keqja do na zërë nga gryka, por kjo luftë i vret të mirat e shumta duke shtuar të keqen nga të gjitha anët. 

Ne jetojmë por kemi harruar si jetohet. 

Ne jetojmë gabim sepse nuk bëjmë pyetjet e duhura. 
Ne presim përgjigjet por nga persona të gabuar. 

Në dimër në ankohemi për të ftohtin duke dëshiruar verën, dhe në verë ankohemi për vapën duke dëshiruar vjeshtën, në vjeshtë ankohemi për shirat duke kërkuar strehë dhe kur jemi në strehë, ankohemi që jemi mbyllur brenda. 

Jeta ikën duke jetuar me ankesa për atë që është dhe për atë që dëshirojmë dhe në fund humbasim dhe atë që kishim për të shijuar. 

#ndalohetkopjimi 
#lejohetshpërndarja