Saturday, September 11, 2021

Shpresa dhe frika

Kur njeriut i vritet shpresa, kur nuk ka më çfarë të shpresojë, ai fillon të mos ketë as frikë nga diçka, nga humbja apo mohimi i jetës. Kur njeriu shpreson në diçka, sa më e madhe të jetë shpresa, aq më e fortë është dhe frika sepse frika e bën të ruajë çdo gjë që nuk e lejon të afrohet drejt shpresës.
Një person që është i përfshirë në gjendjen e mohimit-pra nuk ka as shpresë dhe as frikë, ky nuk ka as dashuri për veten dhe as për të tjerë, dhe si pasojë vullneti për të jetuar bie në mënyrë drastike! 
Mohimi e bën këtë person të mos e dojë më veten, as jetën sepse e sheh gjithçka dhe veten si të padobishëm, si dështim dhe bela për të tjerë. 
Ky njeri është pushtuar nga një ide pesimizmi në ekstrem, prandaj nëse ndodh të njihni dikë të tillë, qoftë në fazat e para apo më rëndë, mos e lini të vetmuar por bëhuni pishtar shprese për të, qoftë me fjalë të mira, qoftë me prezencën tuaj në jetën e tij/saj, qoftë në çdo mënyrë që ju e shihni të arsyeshme!
Bëhuni oksigjeni i zemrës së tij/saj! 
Jeta e njeriu është si flaka e qiriut; një erë e fortë jo vetëm që e shuan por e hedh përtokë qiriun. 

#ndalohetkopjimi 
#lejohetshpërndarja

Të shpëtosh një jetë nuk do të thotë gjithnjë ta shpëtosh dikë nga mbytja në det, në aksident, në luftë, apo nga një vetvrasje.
Të shpëtosh një jetë mund të bëhet shkak një fjalë e mirë në kohën e duhur, një gjest i këndshëm, një buzëqeshje e sinqertë, një përqafim i ngrohtë, një ftesë për kafe, një "si je" në cel, një dhuratë e rastësishme pa asnjë arsye...etj. Të shpëtosh një jetë mund të bëhet në forma dhe mënyra nga më të ndryshmet të cilat ne i kemi anashkaluar sepse nuk ja dimë rëndësinë ose ja dimë por nuk i zbatojmë pasi jemi edukuar me egoizëm.

Të vrasësh një jetë, nuk do të thotë gjithnjë  ta vrasësh dikë me armë; shpesh ne e vrasim dikë me fjalë, heshtje dhe qëndrime nga më të ndryshmet të cilat nuk i japim rëndësi, ose i japim por na pëlqen ta lendojmë dikë. Sigurisht që ka prej nesh që bëhen "vrasës" në mënyrë të pavetëdijshme dhe këtë e kuptojmë shumë vonë. 
Të vrasësh një jetë nuk është e thënë të përdorësh armën; ka shumë mënyra të tjera që janë më të rrezikshme se arma: janë fjalët dhe heshtja, janë shpresat e vrara, janë ëndrrat e thyera nga njerëz të cilët nuk e kanë merituar kohën tonë.

Jeta e njeriut është më e shtrenjtë se çdo gjë që ka kjo botë. Jeta e njeriut është më e shenjtë se çdo vend i shenjtë në këtë tokë.
Prandaj bëhuni heronj të jetës së dikujt, jo vetëm në rastet kur dikush mbytet në det apo kur dikush pëson një aksident por në çdo moment kur takoheni me dikë. Kushtojini vëmendje të plotë tjetrit për të kuptuar mendimet dhe ndjenjat që ka sepse ndoshta ka nevojë për ndihmën tënde për ta shpëtuar nga "vdekja" shpirtërore, nga pesimizmi dhe nga vetvrasja që mund të ndodhë. 
Vetëvrasjet nuk janë gjithnjë me armë por edhe me mjete apo mënyra të tjera siç janë: droga, alkooli, kumari, dhuna ndaj vetes dhe të tjerëve...etj.
Dhe mos u mashtroni nga buzëqeshja e tyre me të cilën fshehin dhimbjen që kanë. Jini më të kujdesshëm me ta.

#ndalohetkopjimi 
#lejohetshpërndarja