Kur erdhëm në këtë botë nuk erdhëm me vullnetin tonë, erdhëm duke qarë dhe të tjerët qeshnin, erdhëm pa gjë por ata që na rrethonin ishin të gatshëm të dhuronin çdo gjë edhe pse ne nuk ja dinim vlerën, edhe pse nuk na duheshin, edhe pse nuk i lakmonim. Kur erdhëm në këtë botë na mbështollën me një çarçaf të bardhë duke na dhuruar dashuri e mëshirë pa kufi, na mbanin në duar me një kujdes të madh, me delikatesë dhe ishin të gatshëm të sakrifikonin gjumin, ushqimin, rehatinë dhe jetën e tyre për kujdesin tonë.
Me kalimin e kohës, të gjitha këto u larguan sepse bota imponon ushqimet, veshjet dhe luftën e saj. Na imponohet një luftë për fituar sa më shumë gjëra, për të patur sa më shumë pasuri, miq, pushtet...etj.
Papritur vjen ora, një kthesë që e presim të gjithë por askush nuk e di se kur...
Gjithçka për të cilat luftuam na duken pa asnjë vlerë. Kuptojmë se gjithçka që i përket dynjasë do ngelet përsëri në dynja dhe ajo që ka rëndësi në ato çaste është shëndeti dhe koha. E, nëse këto të dyja na japin lamtumirën, atëherë e ndjejmë se gjithçka ishte thjesht kalimtare; pasuria, bukuria, shëndeti, pushteti, miqtë, makinat, pallatet, pronat...etj. Në çastet e fundit të fillimit të një rrugëtimi tjetër shohim se e vetmja gjë që kemi për të marrë me vete është vepra e mirë, punët e bukura që bëhen pishtari ndriçues në rrugëtimin e ri.
Dhe në fund ashtu si në fillimin e jetës, përsëri të afërmit tanë na mbështjellin me një çarçaf të bardhë, jo duke buzëqeshur por duke qarë, jo duke na dhuruar gjithçka por duke marrë gjithçka kishim, jo në krahët e tyre por në krahët e vdekjes, jo në shtratin e tyre që i lënim pa gjumë, por në shtratin e varrit duke "fjetur" gjumë, jo duke ngrënë ushqimin e nënës por duke ngrënë baltën e nënës tokë.
Ky është udhëtimi ynë, një udhëtim i jetës dhe vdekjes. Në këtë udhëtim i kënaqur do të jetë vetëm ai që shkon me një zemër të pastër dhe të devotshme!
#ndalohetkopjimi