Thursday, September 22, 2022

Njerëzit kanë harruar

Diçka më e frikshme sesa lufta është ftohtësia e zemrave!
Njerëzit po harrojnë të përqafojnë, jo thjesht të hedhësh krahët sa për të takuar dikë, po them për atë lloj përqafimi që të mbyll sytë me forcë, shpirtin ta çliron dhe që të bën të largohesh nga gjithçka drejt një bote e cila quhet "harresë".
Njerëzit kanë harruar të përkëdhelin, jo thjesht me gishta sa për të ndjerë lëkurën e trupit, po them për atë lloj përkëdhelje që të bën të ndjesh shqisat të depërtojnë e të rrjedhin në zemër, të ndezin një zjarr dhe të shkrihen të dy si dy copa akulli të ngrira nga monotonia e jetës.
Njerëzit kanë harruar të flasin, jo thjesht sa për të thënë diçka si një lloj njoftimi, po them për atë lloj bisede e cila në heshtje kuptohen më mirë, duke mbushur boshllëkun e njëri tjetrit me shikime të ëmbla e të sinqerta!
Njerëzit kanë harruar të buzëqeshin, jo thjesht një buzëqeshje si një formë e mirësjelljes formale, por si një ndjenjë rrezatuese që të jep shpresë, që të bën të harrosh dhimbjen e jetës, që të pasuron shpirtin, një lloj buzëqeshje e cila të largon gjurmët e gishtave të jetës, atë lloj buzëqeshje e cila shoqërohet me shikimin e çiltër dhe pa interes.
Njerëzit kanë harruar të qajnë, jo thjesht nga dhimbjet që të jep jeta, por atë lloj të qarësh ku shpirti çliron gjithë tensionin e grumbulluar, atë lloj të qarësh mbi supin e dikujt që është gati të qajë bashkë me ty, ato lloj lotësh që mishëron forcën e vërtetë të një burimi të pasur me dashuri të pashprehur.
Njerëzit po harrojnë të jenë njerëz, jo thjesht njeri si dy këmbësh që ecën mbi tokë për mbijetesë, por si një qenie e lartësuar nga të gjitha krijesat, një qenie e mbushur me dritë hyjnore të cilën e bën të veçantë edhe mes ëngjëjve.
Njerëzit pa harrojnë të jetojnë, jo thjesht si vite mes të mirash por një jetë e cila është e mbushur me kuptimin më të lartë, një kuptim më të lartë se vetë qenia njerëzore, më të lartë se vetë jeta e tij.
Njerëzit po harrojnë sepse nuk po kujtojnë që nuk janë thjesht njerëz mes kafshëve por krijesa hyjnore mes ëngjëjve!

#ndalohetkopjimi
#lejohetshpërndarja