Friday, April 28, 2017

Politikat

Një i mençur u pyet se çfarë është politika dhe ai u përgjigj :
" Nëse i referohemi termit politikë,poli-etikë,do të thotë se ka shumë etika të ndryshme.1 % etikë është e vërtetë dhe 99 % janë mashtrime.Pra,e vërteta është një dhe mashtrimet janë shumë.
Nëse njeriu do përpiqej të kuptonte dhe të ndiqte të vërtetën,nuk do përçaheshin njerëzit në politika të ndryshme.Por njeriut në përgjithësi nuk i intereson e vërteta por interesi.Nëse informacionet që dëgjon nga partitë politike përputhen me interesat e tij personale,ai do e pasojë atë edhe nëse do e dijë që nuk është e vërteta dhe e drejta.Sot jetojmë në epokën ku njeriu në përgjithësi nuk interesohet çfarë është e vërtetë dhe çfarë është mashtrim,çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar,sot mendohet se " kush nuk është me ne është kundra nesh dhe kush është kundra nesh është armiku ynë.Ne kemi të drejtë të mbrohemi nga armiku duke e sulmuar dhe që armiku të mos na e marrë atë që kemi,duhet t'ja marrim ne atë që ata kanë "!
Pra,sot mendohet me terma pronore dhe me shifra,njerëzit shihen si numra dhe jeta shihet si pronë.

Tuesday, April 25, 2017

Servili

Na mbytën servilat!
Por fajin më të madh nuk e kanë servilat por ata që ua pëlqejnë servilizmin atyre.Prandaj,servilat e përdorin këtë metodë si një nevojë të domosdoshme për të arritur qëllimin që kanë,dhe sepse pa u servilosur nuk fitojnë gjë.

Mëkatet

Nëse mëkatet do binin erë,të gjithë njerëzit do largoheshin nga njëri-tjetri edhe nëse do ishin parfumosur me aromën më të mirë.

Friday, April 21, 2017

Dëshmia e Dashurisë

Në fillim të historisë së dashurisë,mashkulli sheh një femër,e pëlqen,përpiqet me siklet të tregojë dashurinë duke thënë dy fjalë me sforco.
Lodhet lart e poshtë për ta kërkuar,shkon nga shtepia e saj,e kërkon në shkollë ose në punën e saj.Pyet çdo njeri për të.E ndalon në rrugë me frikën se mos bërtet,se mos ankohet në polici,se mos ha ndonjë plumb në fund të fundit.
Gjithsesi,me gjithë këtë presion dhe frikë,vazhdon të dëshmojë dashurinë e tij për të me javë,muaj ndoshta dhe vite...
Përplaset me familjen e tij se ajo nuk është e duhura.Përplaset me familjen e saj se nuk është mashkulli i duhur dhe se nuk ofron asgjë për ta " blerë " jetën e vajzës.
Përplaset me dyshimet e vajzës se mos është duke u tallur.Investon çdo gjë për të dëshmuar dashurinë e tij për të.
Pas shumë e shumë luftrash,konfliktesh,sherresh,pagjumësi,lotë...etj etj...në fund ose përfundon në krahët e dashurisë ose përfundon krahët e vdekjes.

Martesa

Babai donte të martonte djalin :
" O ba,çfarë është martesa?
- Biri im,martesa është një tokë,ti shkon dhe e zapton atë dhe lufton që ta bësh të tënden me ligj,ta rrethosh atë,të ndërtosh aty,të mbjellësh dhe në fund të korrësh frytet.Frytet e kësaj toke varen nga përkushtimi dhe investimi yt me dashuri dhe kujdes.Prandaj duhet të dalësh dhe të kërkosh një tokë të lirë,të pa punuar sepse mundet që toka e punuar të ketë ndonjë ish pronar ose trashëgimtar.
Duhet të gjesh një tokë të lirë dhe ta mbrosh mirë atë që mos të bëhet tokë " shkel e shko.Nëse kujdesesh mirë për atë tokë,ajo tokë do jetë jeta jote dhe ti jeta e saj.
- E kuptova o ba,ti do që të bëhem një pronar i një biznesi me emrin : " Dashuri dhe Familje ".

Wednesday, April 12, 2017

E çuditshme

E çuditshme me disa njerëz :
Lexojnë urtësi por nuk mendojnë me urtësi.
E dinë çfarë është e drejtë por jetojnë duke bërë padrejrësi.
Pësojnë gabime por nuk nxjerrin mësime.
Nxjerrin mësime por nuk heqin dorë nga gabimet.
E shohin veten drejt rrënimit por qeshin me rrënimin e tjetrit.
Punojnë për të jetuar më mirë por humbasin fitimin duke bërë jetën më të keqe.
Ankohen për jetën e keqe por nuk largohen nga shkaqet që të çojnë në atë lloj jete.
Kërkojnë lumturi për veten por mbi fatkeqësinë e tjetrit.
Kërkojnë nga të tjerët dashuri të pastër ndërkohë që vetë janë të njollosur me mashtrime.
Këshillojnë të tjerët që nuk janë në rrugën e duhur,ndërkohë që ata nuk janë të vetëdijshëm për rrugën ku gjendën.
Bërtasin për drejtësi dhe padrejtësitë ndërkohë që nuk kanë frikë nga Zoti.

Tuesday, April 11, 2017

Zemra e dashurisë

Kush mjekon një zemër të lënduar nga dashuria,atë e ndjek lutja e tij në çdo hap të jetës.
Kush lëndon një zemër të pastër me dashuri të shtirur,atë ka për ta ndjekur mallkimi derisa të përjetojë të njëjtën gjë.