Çdokush në dashuri është egoist sipas mënyrës së vet, pa dyshim. Por edhe këtu duhet të merremi vesh. Kemi nga ata që janë bërë për të jetuar dhe ata që janë bërë për të dashuruar. Sepse dashuria, për të cilën po flasim këtu, është zbukuruar me iluzionet e përjetësisë. Të gjithë specialistët e pasioneve na mësojnë se dashuri të përjetshme ka vetëm kur ajo pengohet. Nuk ka kurrë pasion pa luftë. Një dashuri e tillë merr fund vetëm në kontradiktën e fundme që është vdekja. Duhet të jesh Verter ose hiç. Edhe këtu ka shumë mënyra për të vrarë veten, një nga të cilat është dhënia e plotë e vetvetes ose harrimi i vetvetes.Ata që një dashuri e madhe i shkëput nga e gjithë jeta vetjake pasurojnë ndoshta vetveten, por me siguri varfërojnë jetën e atyre që dashurojnë. Një nënë, një grua e pasionuar e ka detyrimisht zemrën e tharë, sepse janë larguar nga bota. Një ndjenjë e vetme, një qënie e vetme, një fytyrë e vetme, gjithçka gllabërohet.