Monday, December 17, 2018

Sa shumë e sa pak

Sa shumë e sa pak...

Sa shumë vetmi që shoh,sa shumë ftohtësi krahësh,sa shumë buzë të vrara nga turpi,sa shumë frikë tek supet e mbledhura nëpër cepa rrugësh,në dhomë,a diku tjetër ku lotët ndezin zjarre për të lehtësuar sadopak dhimbjen që sjell vetmia.
Sa shumë fytyra të ngrira nga ndrydhja e emocioneve të pa shfaqura nga frika e dobësisë në sytë e kufomave që ecin përkrah turmës,ku secili prej tyre fsheh një botë tjetër nga ajo që jeton.
Sa shumë botë të ndryshme dhe të fshehta,botë të përgjakura nga plagët e mbledhura në kohë të qelbëzuara nga indiferenca e shtirur për pak ego.
Sa shumë të dhimbshme këto çaste tek i sheh me syrin e pamundësisë për t'i zgjuar nga monotonia vrastare ku kanë rënë në mungesë të optimizimit hyjnor.
Sa shumë enigma të thurura me shtiza djallëzore të cilat presin të shpërngulen në një botë tjetër ku gjithçka do lexohen qartësisht të gjitha përgjigjet.
Sa shumë plane për një jetë që nuk jetohet,një jetë e cila gjendet në kokë, ndërkohë që jeta po jetohet jashtë saj duke mos u bërë skllav i saj.
Sa shumë buzëqeshje të humbura nga frika se mos ja dhurojnë personit të gabuar, ndërkohë që mund të jesh personi i duhur për ta shpëtuar atë nga një zemër e ftohtë.
Sa shumë gjëra e sa pak shije...
Sa shumë arritje e sa pak fitore...
Sa shumë pasion e sa pak kohë për dashuri...
Sa shumë buzëqeshje e sa pak lumturi...
Sa shumë kemi e sa pak që jemi...
Sa shumë jetë e sa pak jetojmë...
Sa shumë vdekje e sa pak mall...
Sa shumë botë e sa pak vend...
Sa shumë mendje e sa pak mendime...
Sa shumë njerëz e sa pak njerëzillëk...