Friday, May 6, 2022

Kujtimet

Ndonjëherë gjërat e më të vogla shkaktojnë kujtime kaq të çuditshme dhe kaq të bukura...sa na lënë pa fjalë...
Kujtimet shpesh janë diçka qesharake...me të cilat qeshim kur na vijnë ashtu papritur ose kur diçka apo dikush që shohim ose takojmë na i zgjon nga gjumi i nostalgjisë. Ata janë aty, gjithmonë të sigurt në kujtimet tona. 
Kujtimet janë si kutitë e çokollatave të cilat pasi hapen...nuk mund të ndalesh vetëm me një. 
Ndonjëherë ato dalin nga fletët e ditarit shpirtëror si një imazh i gjallë dhe na trembin me emocione të forta sikur të ishin akoma të gjalla...aty pranë, duke na dhënë ndjesinë momenteve të përjetshme, sikur koha të ishte ndalur...sikur koha të mos kishte kaluar. 
Kujtimet i japin një kuptim të plotë jetës...janë ato që na mbeten kur gjithçka duket se ka kaluar...janë ato që na bëjnë të ndjejmë se jemi rritur, që na kanë thinjur, që na lanë kallo në shpirt e rrudha në fytyrë...janë kujtimet ato që kemi shkruar në librin e shpirtit...një libër i cili do të mbetet me ne deri në fund të jetës...
Këto kujtime shpesh na japin dhimbje, kënaqësi, pendime, zhgënjime, pishmanllëqe për ato që bëmë por edhe për ato që nuk bëmë kur ishte koha e duhur. 
Kujtimet janë brumi ynë me të cilin jemi gatuar, janë zjarri që na ka bërë hi, janë lulet e rinisë kur gjethet e rëna kishin dikur një aromë trullosëse...
Në kujtime gjejmë veten tonë së bashku me njerëzit tanë, gjejmë njerëz të cilët ishin të panjohur por u bënë të afërt, gjejmë njerëz të njohur por u bënë të largët, gjejmë kalimtarë që lanë gjurmë të përjetshme dhe njerëz që menduam se ishin të përjetshëm por nuk lanë asnjë gjurmë...aty gjenden gjithmonë...sikur asgjë të mos kishte ndryshuar...janë ato që na pasurojnë me emocione të forta njësoj sikur koha të mos ndalej kurrë për ne...por fatkeqësisht jemi ne ata që koha na tret edhe pse kujtimet mbeten.
Pse të mos shkruani kujtimet më të bukura me të cilat dëshironi të jetoni në vjeshtën tuaj? 

#ndalohetkopjimi 
#lejohetshpërndarja