Thursday, January 5, 2017

Thirrje për meditim

THIRRJE PËR MEDITIM

Le t’i japim shpirtit tonë atë paqe që jep meditimi i vazhdueshëm i mësimeve të urtësisë, përdorimi i së mirës dhe një mendje që punon vetëm për fisnikërinë. Ajo që ne duhet të kënaqim, është ndërgjegjja dhe jo fama; le të pranojmë të kemi edhe një emër të keq, në qoftë se këtë e përdorim për vepra të mira. “Por turma, do të më thuash ti, e admiron vrullin: ajo i nderon guximtarët; kurse njerëzit e qetë i mban për të plogët".
Ndoshta në fillim; po kur rregulli i jetës që ata bëjnë provon që qëndrimi i tyre nuk është përtaci por gjakftohtësi, është po kjo turmë që i nderon e i vlerëson ata.Pra, zemërimi, ky gjakim shumë i shëmtuar dhe armiqësor, nuk ka në vetvete asgjë të dobishme; përkundrazi, ai ndez zjarrin, zhvesh shpatën dhe lëshon shigjetat. Duke shkelur me këmbë çdo ndjenjë që të bën të turpërohesh, ai i njom duart me gjak, copëton gjymtyrët e fëmijëve të vet; asgjë nuk u shpëton krimeve të tij; pa u shqetësuar për lavdinë, pa u trembur nga poshtërsia, ai bëhet i pashërueshëm, nëse, duke u forcuar, kalon në urrejtje.

Duhet të ruhemi nga kjo e keqe, duhet ta spastrojmë shpirtin tonë prej saj, duhet ta çrrënjosim këtë ves; sepse sado të vogla t’i ketë rrënjët, sido që të jetë toka ku këto kanë zënë, ai do të mbijë gjithmonë. Nuk duhet të përpiqemi për ta zbutur zemërimin;sepse si mund të zbutet një e keqe? Le ta zhdukim plotësisht atë! Dhe kësaj do t’ia arrijmë, ne qoftë se do të përpiqemi. Asgjë nuk do të na ndihmojë më shumë për këtë sesa mendimi që ne jemi të vdekshëm. Çdokush duhet t’i thotë vetes dhe tjetrit njëkohësisht: “Çfarë vlere ka t’i kërcënosh të tjerët me inatin tënd, sikur të ishe i përjetshëm, dhe të prishësh në këtë mënyrë një jetë kaq të shkurtër? Për çfarë shërben që ta torturosh e ta bësh të vuajë tjetrin, ndërkohë që ditët tona mund t’ia kushtojmë puneve dhe argëtimeve të ndershme? Këto ditë nuk pranojnë të asgjësohen kështu; kohën e kemi me kursim. Përse të rrëmbejmë armët? Përse të bëjmë thirrje për luftë? Duke qenë se e harrojmë dobësinë tonë, pse duhet të tërhiqemi nga urrejtje të tmerrshme; pse duhet të ngrihemi kundër "kësaj dobësie që kanë të tjerët, kur edhe ne vetë jemi të dobët? Temperatura ose një tjetër sëmundje do të vijnë së shpejti t’u japin fund këtyre armiqësive, që ne mbajmë në një zemër të pamëshirshme. Vdekja do t’i ndajë së shpejti nga jeta edhe luftëtarët më trima. Pse të ngremë krye, pse t’i turbullojmë jetët tona duke mbjellë përçarje? Fati qëndron pezull mbi kokat tona; ai na i fut në llogari këto ditë të humbura dhe na afrohet përherë e më shumë. Dita që ti ke caktuar për vdekjen e armikut tënd, do të ndriçojë, ndoshta, shtratin e vdekjes tënde.”
Pse të mos e organizosh më mirë këtë jetë të shkurtër që të jetë e ëmbël, si për të tjerët edhe për ty vetë? Pse të mos bësh që të të duan sa je gjallë dhe t’u vijë keq kur mos të të kenë më? Pse kërkon ta dërrmosh atë që sillet me ty me shumë fisnikëri? Përse duhet t’i sulesh me të gjitha forcat atij njeriu, që leh pas teje, atij personazhi të keq e të neveritshëm, që godet e plagos çdo njeri që qëndron më lart se ai? Pse të zemërohesh me zotërinë tënd, me vartesin tënd, me prijesin tënd, me klientin tënd? Prit pak, dhe ja tek vjen vdekja, që i merr të gjithë,vecse dallimi është si jetuan. Na ndodh të shikojmë në ndeshje një ari dhe një dem, që, të lidhur me të njëjtin zinxhir, luftojnë kundër njëri-tjetrit përpara gladiatorit që do t'i vrasë.
Pikërisht këtë bëjmë edhe ne: i hakërrehemi shokut tonë, mbi të cilin peshon i njëjti zinxhir, ndërkohë që shumë shpejt, një fund i njëjtë do të marrë me vete edhe fituesin, edhe të humburin. Le ta kalojmë më mirë në paqe dhe rehati atë pak kohë që na është dhënë për të jetuar, dhe të mos rëndojë mallkimi mbi jetet tona!
Ndodh shpesh të shohim të ndërpritet një grindje, për shkak të thirrjeve të papritura që njoftojnë një rënie zjarri tek fqinji; shfaqja e një kafshe të egër i jep fund luftës së udhëtarit kundër hajdutit. Kur shfaqet papritur një rrezik më i madh, nuk kemi kohë të luftojmë kundër të këqijave të vogla. Ç’do të bëjmë me luftimet dhe pritat? A nuk është gjëja më e keqe vdekja, që mund t’i urosh atij që të zemëron? Më kot lodhesh: ai do të vdesë. Ti humbet kohën tënde duke dashur të bësh atë që do të ndodhë vetë. “Unë nuk dua ta vras, thua ti, por ta dënoj me syrgjyn, me fatkeqësi, me shkatërrim.” Do të të falja me më shumë dëshirë, po t’i uroje armikut tënd më mirë një plagë se një fulltakë; sepse kjo do të thotë të jesh jo vetëm i lig, por edhe shpirtvogël. Për çfarëdo që të mendosh, për mundimet e fundit apo për tortura më të lehta, koha që i mbetet armikut për të vuajtur është po aq e shkurtër, sa edhe gëzimi i lig që të frymëzojnë vuajtjet e tij! Së shpejti, ne do të nxjerrim frymën tonë të fundit. Ndërkaq, për sa kohë jemi mes njerëzve, le të tregojmë që jemi njerëzor. Le të mos bëhemi për askënd një rrezik ose një arsye për frikë; le t’i përbuzim dëmet, fyerjet, lëndimet, ngacmimet dhe le të durojmë me fisnikëri fatkeqësitë kalimtare. Jeta na braktis sa hap e mbyll sytë.