Monday, November 27, 2017

Ajo iku

Ajo iku

Para se të njihja dashurinë vuaja nga mungesa e saj, këtë vuajtje e fshihja duke u tallur me ata që bënin çudira në emër të dashurisë.
Kur njoha dashurinë pushova së qeshuri,u tjetërsova,nuk më njihnin më,bëja si fëmijë,por fillova të vuaj në emër të saj sepse nuk mund ta shijoja plotësisht atë.
Kur humba dashurinë,këto vuajtje u larguan por për çudi erdhën të tjera vuajtje më të rënda.
Mungesa e boshllëkut kur të lë dikush kur ikën,gjurmët e dhimbjes,vetmia me idenë se askush nuk mund të zërë këtë boshllëk, pesimizmi me idenë se nuk jetohet pa këtë dashuri dhe me këtë boshllëk të shoqëron kudo.Të gjitha këto dhe të tjera janë vuajtjet që të bëhen pjesë e jetës ose më mirë vetë jeta sepse pa dashuri ska jetë.Po them atë jetë që jetohet me dëshirën për të jetuar,jo për atë jetë sepse je gjallë midis të gjallëve.

Wednesday, November 22, 2017

Ëndërro,o hiri im!

Ëndërro,o hiri im!
Rilind përsëri dhe fluturo.
Jepi jetës atë që t'u mohua,
një ëndërr në realitet.
Qielli i dashurisë është zbehur
yjet bien si shiu nën lëkurë.
Bashkë me yjet ke qarë
Po ti,hiri im,
do rilindësh përsëri
Ashtu si dielli në agim.

NATËN E MIRË MIQ TË LIBRIT

Përplasje bindjesh

Disa njerëz nuk guxojnë të ballafaqojnë bindjet e tyre me bindjet e kundërta.
Kjo shihet në përzgjedhjen e leximeve të cilat disa i marrin e disa i hedhin poshtë, jo se janë apo jo të sakta apo të gabuara por sepse përzgjedhja e tyre bazohet në shijen që jep bindja e tyre.Ky qëndrim është fanatizëm ekstrem.Ky qëndrim nuk i lejon ata që të zbulojnë argumentin e saktë nga e gabuara për arsye se bindja nuk i lejon të shohin në këtë këndvështrim.
Jam i sigurt se bindjet e tyre nuk janë argumentuara dhe ajo që nuk është e argumentuar,si mund të ndodhë të jetë e sigurt?!
Duhet qartësuar në çdo njeri fakti që ka dy bindje në njeriun : bindja që të kontrollon mendjen dhe bindja që kontrollohet nga mendja...!!!

Të jesh i thjeshtë nuk është kaq e thjeshtë. Më e thjeshtë është të bëhesh i vështirë!

Të jesh i thjeshtë nuk është kaq e thjeshtë.
Më e thjeshtë është të bëhesh i vështirë!

Monday, November 20, 2017

Prindi

Prind nuk është dikush që sjell një fëmijë në jetë por dikush që i përkushtohet fëmijës gjithë jetën.
Lumturia nuk është në faktin që u bëre prind por në aftësinë për të qenë prind.
Fatkeqësia e një fëmije nuk është vetëm mungesa e prindërve por indiferenca dhe keqedukimi i tyre.
Ka ndodhur që fëmija e një familjeje të pasur ka gjetur ngrohtësinë në prehrin e një nëne të varfër.

Sunday, November 19, 2017

Për lexuesit

Është fatkeqësi të shkruash për një publik që nuk lexon.
Është skandal të shohësh një publik që lexon gjëra që ulin nivelin e komunikimit.
Është skandal të dëgjosh një publik që ka lexuar gjëra që ulin nivelin e kulturës dhe inteligjencës.
Mbi të gjitha është çmenduri të dëgjosh sot "këshilla" të llojit : " sot libri nuk ka vlerë,prandaj mos humb kohën kot me librat"!

Saturday, November 18, 2017

Friday, November 17, 2017

Një ditë ruajta sinqeritetin e miqësisë ndaj dikujt nga xhelozia e dashurisë. Sot përkujdesja e dashurisë së dikujt dëmtoi dhuratën e sinqertë të miqësisë.

Një ditë ruajta sinqeritetin e miqësisë ndaj dikujt nga xhelozia e dashurisë.
Sot përkujdesja e dashurisë së dikujt dëmtoi dhuratën e sinqertë të miqësisë.

Miku i Librit

Quhem "Miku i Librit"

Jetoja në një vend ku leximi i librave nuk preferohej,ndoshta ngaqë mungonte motivi,ndoshta ngaqë për një kohë të gjatë ky  luks kishte munguar në këtë vend,ndoshta...kush mund ta dijë me siguri pse.
Megjithatë mora guximin të shkruaja diçka për vendin ku jetoja,për njerëzit aty,për botën e tyre.Ky ishte një vendim i frikshëm sepse rrezikoja të më merrnin për të çmendur pasi aty askush nuk lexonte.
Megjithatë fillova, fillova të shpërndaja copëza letre me shkrime të ndryshme sipas nivelit që kishin.
Dhe rrezultati?!
Letrat i përdornin për nevojat e tyre sipas hallit që kishin në çast!
Kjo ishte një çmenduri.Ajo çfarë më mërziti nuk ishte veprimi i tyre me letrat por ideja se në këtë vend nuk kishte asnjë që të lexonte libra.
Atëherë vendosa që mos të shkruaja më por vetëm të lexoja që mos të ngelej një vend pa një lexues dhe pa libra.
Fillova të lexoja kudo,në çdo vend ku bija në sy.Me kalimin e kohës njerëzit nuk më thërrisnin me emrin tim.
Nëse dikush më kërkonte,atë e pyesnin nëse po kërkon "Mikun e Librit".
Ja pra,ky është emri im që më shkon për shtat sepse njeriu është ajo që bën, ndërsa vendin e bëjnë njerëzit!

Thursday, November 16, 2017

Dëshpërimi i plakës

Dëshpërimi i plakës

Plaka e rregjur dhe e fishkur u ngazëllye krejt kur pa atë fëmijë të bukur, të cilit të gjithë sa ishin përpiqeshin t’i bënin qejfin dhe t’i pëlqenin; atë qenie të bukur, po aq të brishtë sa plaka e vogël, dhe po si ajo, pa dhëmbë e pa flokë.

Dhe plaka iu afrua që ta përkëdhelte e ta gëzonte. Por fëmija i tmerruar filloi të përpëlitej nën përkëdheljet e gruas së drobitur dhe shtëpia ushtoi nga kuisjet e tij.

Atëherë, plaka e shkretë u tërhoq në vetminë e saj të përhershme, dhe duke qarë në një kënd thoshte me vete: “Ah! Mjerë ne femrat e plakura që na ka kaluar mosha për t'iu pëlqyer njerëzve, madje edhe të pafajshmëve; ne u kallim datën fëmijëve të vegjël që duam të përkëdhelim! ”

Charles Baudelaire

Mbrëmje vjeshte

Sa depërtuese janë muzgjet vjeshtore! Ah! Depërtuese gjer në dhimbje! Sepse ekzistojnë disa ndjesi fort të këndshme që, ndonëse të mjegullta, janë të fuqishme; dhe nuk ka majë më të mprehtë sesa ajo e Pafundësisë.

Ç’kënaqësi e madhe është të kredhësh vështrimin në hapësirën e pafundme të qiellit e të detit! Vetmi, heshtje, dëlirësi e pakrahasueshme e kaltërsisë! Një velë e vockël që fërgëllon në horizont, dhe që me vogëlsinë dhe vetminë e saj imiton jetën time të pandreqshme, melodi monotone e valëve; të gjitha këto mendojnë nëpërmjet meje, ose unë mendoj nëpërmjet tyre (sepse në madhështinë e ëndërrimit kuptimi i unit humbet shpejt!); ato mendojnë, them unë, por në një mënyrë muzikore dhe piktoreske. pa stërhollime, pa silogjizma, pa përfundime.

Sidoqoftë, këto mendime, pavarësisht nëse dalin prej meje apo burojnë prej gjërave, shumë shpejt bëhen tepër të fuqishme. Dhe energjia e kënaqësisë të krijon një shqetësim e një vuajtje pozitive. Nervat e mia tepër të tendosura nuk japin tashmë veç ca dridhje çjerrëse e të dhimbshme. '

Tani thellësia e qiellit më pikëllon; qartësia e tij më acaron. Pandjeshmëria e detit, pandryshueshmëria e pamjes, më revoltojnë... A duhet vallë pambarimisht të vuash apo t’i largohesh pambarimisht Bukurisë? Natyrë magjiplote dhe e pamëshirshme, kundërshtare gjithmonë fitimtare, lermë! Mjaft i tundove dëshirat dhe krenarinë time! Studimi i Bukurisë është një dyluftim, ku artisti klith nga tmerri përpara se të dorëzohet.

Hipokrizia dhe përshtatja

Shtirja nuk është gjithnjë hipokrizi.Ndonjëherë është dhe përshtatje.
Hipokrizia është dyfytyrësi me qëllim të keq ndërsa përshtatja është lojë e dyfishtë për të mbrojtur veten ose diçka.
Në hipokrizi del nga vetvetja duke i shërbyer maskës, ndërsa në përshtatje i shërben një qëllimi të ndershëm pa dalë nga vetvetja.

Shpirti dhe Logjika


Shpirti dhe logjika

“Shpirti, ena që nuk derdhet kurrë"’ është tentativa koshiente e inkoshiencës sime, për ta bërë shpirtin sa më koshient.

Shpirti dhe logika mbështjellin njëra-tjetrën pambarimisht. Momenti përcakton se cila nga ato përbën cipën në dritë. Por përcaktimi i epërsisë ndërmjet tyre është vetë mungesa e logjikës. Si e tillë, nuk ekziston epërsia dhe cipa në dritë, por procesi mbështjellës i njëpasnjëshëm në pafundësi.

Shpirti i ngul thikën logjikës dhe shpëton prej saj, sa kohë që ekziston.

Shpirtërimi i logjikës e bën atë logjikë.

Shpirt është vetë fuqia e logjikës. Logjika është energjia e shpirtërimit të shpirtit.

Logjika pa shpirtin nuk ka forcën transformuese. Shpirti pa logjikën nuk ka energinë për ta transformuar.

Logjika lind nëpërmjet shpirtërimit të saj, që përbën domosdoshmërinë e lindjes së saj, për të bërë të mundur, që ajo duke kundërshtuar shkakun që e prodhoi, të bëjë lindjen e shpirtit. Shpirti krijon domosdoshmërinë e lindjes së logjikës, për të bërë të mundur vazhdimin e procesit nëpëmjet mishelimit Shpirt-Logjikë, i cili nga ana e tij, përbën domosdoshmërinë e jetës.

Mishela e logjikës së shpirtëruar nga energjia e saj, është mishela e jetës së shpirtëruar. Kështu, jeta ndihet nëpëmjet shpirtit, duke u jetuar nëpërmjet logjikës.

Kjo është mishela që garanton ekzistencën në nivelet më superiore të saj, ku jeta shpalos dimensionin e saj, për të kryer shpirtërimin e logjikës, duke e bërë atë logjike brenda çdo shpirti. Ky shpirtërim në mishelën e lartpërmendur përjashton mundësinë e helmimit të logjikës nga hipokrizia dhe të shpirtit nga urrejtja. Për pasojë, mishela gjeneron energjinë, forca e së cilës rrit dimensionet e elementëve përbërës të mishelës, pra të vetë shpirtit dhe logjikës, për të siguruar e vendosur ritme marramendëse zhvillimi të vetë njerëzimit, duke e çuar drejt qendrës absolute.

Qendra absolute, uni brenda unit, po u evidentua, nuk të lë të gabosh, sepse rrezet dalin nga e njëjta pikë. Kështu, fokusimi është i garantuar dhe kontradiksioni i përjashtuar. Dhe, vija e drejtë është rruga më e shkurtër, por që endet më me vështirësi. Kjo është vështirësia e gjetjes së Unit.

Kur truri rrezaton energji, shpirti prodhon mirësi.

Uni

Gjithçkasë i duhet dhe i mjafton vetëm dashuria.

Kur unë mendova diçka, desha të dëgjoja “Oshëtimën”, por harrova se, që të arrija ta dëgjoja atë,duhej që më parë të më dëgjonin. Dhe, që të më dëgjonin. duhet të kisha oshëtimën e mëparshme. Ajo duhet të vinte nga male e gryka të thepisura, nga ku, nëse janë, rrëzohesh e s'të mbetet as nishani. E. nëse s’janë, kush mund të ta sjellë oshëtimën?

Kur në vend të oshëtimave, me zor të madh, munda të dëgjoj pak nga mërmëritja e mllefit të mohimit, ndjeva se i doja njerëzit më fort nga ç'më donin. Atëherë thashë: ”Ja”! Sepse, vetëm atyre që i do fort, mund t’iu thuash pa frikë për çdo gjë: “Ja”!

Duke menduar me vete për të tjerët (m’u kujtua, se ajo që njerëzit e duan, sepse s‘mund të mos e duan, pra e duan e do ta duan se s'kanë ç'bëjnë tjetër) tani e tutje do t’iu them ”Unë”. Sepse Uni ju pëlqen të gjithëve.

Takoftë Uni im sa më shumë Unë, të cilët s‘e duan Unin e tyre aq shumë, sa të mbyten në helmin e tij, që është më i ëmbli i të ëmbëlve!

Po sikur “Uni” të mos bëjë derman, çfarë do të bëj?

Nuk kam ndër mend t“i thërras nevojës, por tufanit që shkakton tërmeti i kiametit “Mohim” e atëherë, askush nuk do të mund të mohojë mohimin, se ndryshe mbetet në vend e, kur të kërkojë të lëvizë sadopak, do të më kujtojë jo pak.

“Uni” im do të doja ta mbysë unin, për të qenë “Unë”!

Provoni të më tregoni dyshin e unë do t‘ju them se kush është infiniti.

Të dish të vlerësosh

Lirinë e vlerëson ai që e ka humbur atë.
Dashurinë e vërtetë e kupton ai që e ka rigjetur atë.
Miqësinë e ruan ai që është lodhur nga vetmia.
Jetën di t'a çmojë ai që e di se mund ta humbë në çdo çast!

Tuesday, November 14, 2017

Qëllimi i vetëdijshëm dhe i pavetëdijshëm

Thika ka dy qëllime të vetëdijshme : " përdoret për vrasje ose për të prerë bukën".Kjo varet nga qëllimi që kanë njerëzit dhe në këto dy raste hyn gjykimi.
Në mënyrë të pavetëdijshme ndodh të përdoret "ose duke vrarë tjetrin aksidentalisht ose mund të presësh gishtin tënd duke prerë bukën."
Në këto dy raste nuk ka gjykim.
Pra,në dy të parat ka gjykim sepse ka qëllim,ndërsa në dy të dytat nuk ka gjykim sepse ska qëllim.
Kështu që mjetet duhen gjykuar sipas qëllimit.

Më tepër se zhgënjimi të dhemb malli,të dhemb si ajo tortura kineze ku je në i lidhur diku dhe pret pikat të të bien në ball një nga një.Ajo pritja e rradhës është më e keqja,pritja. A ka tortutë më të çmendur se pritja?!

Më tepër se zhgënjimi të dhemb malli,të dhemb si ajo  tortura kineze ku je në i lidhur diku dhe pret pikat të të bien në ball një nga një.Ajo pritja e rradhës është më e keqja,pritja.
A ka tortutë më të çmendur se pritja?!

Sunday, November 12, 2017

Çmimin e një ëndrre e paguajmë me gjakun e realitetit.

Çmimin e një ëndrre e paguajmë me gjakun e realitetit.

Sekretet e ëndrrës

Përgjojmë errësirën se mos rrëmben ndonjë mendim sekret dhe ashtu vjedhurazi i bëjmë rroje njeri-tjetrit.
Presim që sytë të puliten dhe ëndrrat të zgjohen... Për t'u futur vjedhurazi në ëndrrat e njëri-tjetrit.
Ashtu si fëmijët që bëjnë lojra kukafshehti,ne fshihemi në shpitrat tanë duke luajtur me yjet në errësirën e sekreteve tona të cilat as vetes nuk ja themi.

Pak ditë në këtë botë

Mendime të vrara
të përgjakura nga sprovat,
vdesim për të jetuar
pak ditë në këtë botë.
Mashtrohemi duke mashtruar
duke humbur jetën për një jetë,
Vrapojmë,ecim,ngadalësohemi,ecim,pushojmë,
frymojmë,kërkojmë të frymojmë,duam të frymojmë,qajmë të frymojmë,nuk mundemi më të frymojmë...edhe pse do jepnim gjithçka për një frymë marrje më shumë.

Paqe e shpirtit. Mbrëmje e vetmuar dimri, Trajtë ngjyrash në errësirë Fiksim imagjinar Lojë frike Iluzion shprese.

Paqe e shpirtit.
Mbrëmje e vetmuar dimri,
Trajtë ngjyrash në errësirë
Fiksim imagjinar
Lojë frike
Iluzion shprese.

Rënia në dashuri

Si e kupton kur bie në dashuri me dikë?!
-E kupton në atë çast që  duket sikur të dridhet toka, të duket sikur bota është e jotja, sikur zogjtë këndojnë për ty,sikur jeta që ke jetuar pa të ka qenë vdekje...Kur të njohësh dashurinë nuk do mendosh dot, thjesht do e ndjesh në zemër një ndjesi që do kalojë në stomak dhe do të të bëjë të mendosh për të çdo ditë e më shumë,do flasësh me të dhe nuk do lodhedh kurrë sepse je e qetë dhe e shqetësuar njëkohësisht kur flet.Nata dhe dita nuk bëjnë dallim për ty sepse koha ka ndalur kur je me të dhe ecën shumë shpejt kur sje me të.
Frymëmarrja të shpejtohet dhe gjaku të qarkullon me presion aq fortë sa e ndien si diçka të huaj që të leviz në trup.Zëri të shpejtohet kur flet,nuk e kupton ç'po thua dhe ku gjendesh,belbëzon gjysmat e fjalëve.Kur je duke ngrënë,goja nuk përtyp por flet duke i hedhur në surrat tjetrit atë që ha....🤔

Saturday, November 11, 2017

Gabimi llogjik duke u nisur nga tradita

Nëse dikush ka zakon dhe traditë të jetë i drejtë por bëri një padrejtësi,atij nuk mund t'i thuhet se është i padrejtë por që bëri një gabim.
Po ashtu edhe e kundërta,nëse dikush e ka zakon dhe traditë të jetë i padrejtë por që bëri një akt drejtesie,nuk mund të vlerësohet si njeri i drejtë por bëri një akt të drejtë.
Pra, gabimi llogjik këtu është : Nuk duhet të pohojmë apo mohojmë figurën e një njeriut nga gjykimi i një vepre të çastit.Por as të gjykojmë veprën e një çasti duke u nisur nga figura e tij e mirë apo e keqe.

Thursday, November 9, 2017

Forca e mashkullit dhe manipulimi i femrës

Në përgjithësi, meshkujt që ushtrojnë forcën ndaj femrave e bëjnë këtë sepse forcën kanë më të lartë se femra.
Femra që ushtron artin e manipulimit ndaj meshkujve e bëjnë këtë sepse kjo është arma e tyre më e suksesshme.
Pra, të dy janë duke përdorur atë që kanë mundësi.Thjesht mënyrat janë të ndryshme por qëllimi është i njëjtë ; kontrolli i tjetrit!

Tuesday, November 7, 2017

Miqtë dhe armiqtë

Kam mësuar se dhe miqtë dhe armiqtë nuk janë të sinqertë në miqësi dhe armiqësi.
Miqtë i krijon kur të kanë nevojën dhe të largohen kur s'të kanë nevojën.
Ndërsa armiqtë i krijon kur  preken interesat ose kur përfundon interesat.

Monday, November 6, 2017

Premtimi

E çfarë është premtimi që më dhe se nuk do dashuroje më,një premtim që lidhet me një betim të rëndë,një betim që do ishe  imja deri në botën tjetër? A vlen betimi në çastet e gëzimit kur zemra të rreh fort nga dashuria?!
Çfarë është premtimi për ty,një marrëveshje e përhershme apo një lojë,një bindje apo një shpresë,një përfitim i çastit apo një mallkim që të ndjek nga pas?!

Zemër!

Zemër!
Do të doja të shihja me sytë e tu për të kuptuar se çfarë pe tek unë që u dashurove.Do të doja që ta doja veten siç më thua se më ke dashur,sepse Uni im nuk e sheh kurrë veten time që t'a dojë për atë që është por për atë që duhet të jetë për ty.Por shpesh herë më je shprehur se ti më do për atë që jam dhe ashtu siç jam,që mos të ndryshoj kurrë.
Asnjëherë nuk e kam kuptuar këtë pjesë,sesi duhet të jetoj pa ndryshuar që ti të më duash gjithnjë për këtë që jam.
Sidoqoftë,e kam ndier shpesh se duhet të ndryshoj për hir të vetes për të qenë më i mirë se çfarë jam.
Por nuk e kam bërë sepse kam patur frikë se mos nuk do më duash më kur të shohësh ndryshimin.
Tashmë pyes veten nëse ti më do siç jam apo nuk do që të ndryshoj për mirë?!
Nëse ndryshoj për mirë,kam frikë se nuk do më duash,por nëse nuk ndryshoj për mirë,kam frikë se do më urresh për mangësitë që do shohësh një ditë.
E çuditshme apo jo?
A nuk të duket paradoksale kjo ndjenjë?
Vetëm ti mund të më kuptosh,zemër!

Sunday, November 5, 2017

Meshkujt kanë aftësi të shtiren në dhimbje,por jo në kënaqësi. Femrat kanë aftësinë të shtiren në kënaqësi,por jo në dhimbje.

Meshkujt kanë aftësi të shtiren në dhimbje,por jo në kënaqësi.
Femrat kanë aftësinë të shtiren në kënaqësi,por jo në dhimbje.

Ata

Ata kanë dijen e vërtetë por nuk punojnë me të.
Ata kanë pasuri marramendëse por nuk e shpenzojnë në rrugën e duhur.
Ata janë të shumtë në numër por janë të dobët,të nënshtruar dhe të përçarë.
Ata e njohin armikun por armiqësohen mes veti për t'u miqësuar me armiqtë.
Ata kanë bërë historinë por i kanë humbur gjurmët.
E si pra mund të kenë sukses dhe fitore?

Saturday, November 4, 2017

Pritja e saj

Nëse më dashuron, atëherë duhet të më kërkosh në këtë mënyrë,të shfaqesh para familjes në këtë mënyrë,të dukesh kështu e ashtu,të kesh këtë gjë dhe atë gjë për të qetësuar familjen time, kështu do më japin tek ty me siguri të plotë kur të më kërkosh në familje - i tha vajza djalit kur e propozoi për martesë.
Djali u largua për të plotësuar të gjitha këto kushte, ndërsa vajza ngeli duke pritur.
Kushtet nuk u plotësuan kurrë sepse jeta ka të papritura të hidhura.
Pritja e saj? Deri në varr!

Shumë njerëz

Shumë njerëz e kanë humbur shpresën për gëzim nga frika e vuajtjes!
Dyshimet ua kanë paralizuar guximin për të reaguar.Jeta e tyre rrotullohet në pikëpyetjen "po sikur"?!
Sa mirë do të ishte të zëvendësohet kjo pyetje me pyetjen " pse jo "?!
Atëherë jeta e tyre do të ishte vërtet një jetë interesante.

Friday, November 3, 2017

Përpiqemi gjatë gjithë kohës të ecim në gjurmët e shpresave.Gjatë përpjekjeve mund të mos kapesh dot asnjë shpresë,por përpjekjet e tua lënë gjurmë shprese për dikë tjetër.

Përpiqemi gjatë gjithë kohës të ecim në gjurmët e shpresave.Gjatë përpjekjeve mund të mos kapesh dot asnjë shpresë,por përpjekjet e tua lënë gjurmë shprese për dikë tjetër.

Thursday, November 2, 2017

Dashuria dhe çmenduria

Dashuria duhet të kurohet siç çdo sëmundje tjetër mendore.
Për mendimin tim duhet të konsiderohet si një nga sëmundjet më të rrezikshme sepse në emër të dashurisë janë bërë luftra nga më të mëdhatë,vrasje dhe vetvrasje,krime dhe intriga të frikshme.Dashuria,ashtu si çdo krizë mendore,ajo ka krizë shpirtërore e cila përfshin gjithçka.Dashuria dhe çmenduria dallojnë shumë pak.Ato kanë të njëjtën ngjyrë të bardhë, vetëm se dashuria është si qumështi i nxehtë,ndërsa çmenduria është si bora e ftohtë.