Thursday, November 16, 2017

Mbrëmje vjeshte

Sa depërtuese janë muzgjet vjeshtore! Ah! Depërtuese gjer në dhimbje! Sepse ekzistojnë disa ndjesi fort të këndshme që, ndonëse të mjegullta, janë të fuqishme; dhe nuk ka majë më të mprehtë sesa ajo e Pafundësisë.

Ç’kënaqësi e madhe është të kredhësh vështrimin në hapësirën e pafundme të qiellit e të detit! Vetmi, heshtje, dëlirësi e pakrahasueshme e kaltërsisë! Një velë e vockël që fërgëllon në horizont, dhe që me vogëlsinë dhe vetminë e saj imiton jetën time të pandreqshme, melodi monotone e valëve; të gjitha këto mendojnë nëpërmjet meje, ose unë mendoj nëpërmjet tyre (sepse në madhështinë e ëndërrimit kuptimi i unit humbet shpejt!); ato mendojnë, them unë, por në një mënyrë muzikore dhe piktoreske. pa stërhollime, pa silogjizma, pa përfundime.

Sidoqoftë, këto mendime, pavarësisht nëse dalin prej meje apo burojnë prej gjërave, shumë shpejt bëhen tepër të fuqishme. Dhe energjia e kënaqësisë të krijon një shqetësim e një vuajtje pozitive. Nervat e mia tepër të tendosura nuk japin tashmë veç ca dridhje çjerrëse e të dhimbshme. '

Tani thellësia e qiellit më pikëllon; qartësia e tij më acaron. Pandjeshmëria e detit, pandryshueshmëria e pamjes, më revoltojnë... A duhet vallë pambarimisht të vuash apo t’i largohesh pambarimisht Bukurisë? Natyrë magjiplote dhe e pamëshirshme, kundërshtare gjithmonë fitimtare, lermë! Mjaft i tundove dëshirat dhe krenarinë time! Studimi i Bukurisë është një dyluftim, ku artisti klith nga tmerri përpara se të dorëzohet.