Gjithçkasë i duhet dhe i mjafton vetëm dashuria.
Kur unë mendova diçka, desha të dëgjoja “Oshëtimën”, por harrova se, që të arrija ta dëgjoja atë,duhej që më parë të më dëgjonin. Dhe, që të më dëgjonin. duhet të kisha oshëtimën e mëparshme. Ajo duhet të vinte nga male e gryka të thepisura, nga ku, nëse janë, rrëzohesh e s'të mbetet as nishani. E. nëse s’janë, kush mund të ta sjellë oshëtimën?
Kur në vend të oshëtimave, me zor të madh, munda të dëgjoj pak nga mërmëritja e mllefit të mohimit, ndjeva se i doja njerëzit më fort nga ç'më donin. Atëherë thashë: ”Ja”! Sepse, vetëm atyre që i do fort, mund t’iu thuash pa frikë për çdo gjë: “Ja”!
Duke menduar me vete për të tjerët (m’u kujtua, se ajo që njerëzit e duan, sepse s‘mund të mos e duan, pra e duan e do ta duan se s'kanë ç'bëjnë tjetër) tani e tutje do t’iu them ”Unë”. Sepse Uni ju pëlqen të gjithëve.
Takoftë Uni im sa më shumë Unë, të cilët s‘e duan Unin e tyre aq shumë, sa të mbyten në helmin e tij, që është më i ëmbli i të ëmbëlve!
Po sikur “Uni” të mos bëjë derman, çfarë do të bëj?
Nuk kam ndër mend t“i thërras nevojës, por tufanit që shkakton tërmeti i kiametit “Mohim” e atëherë, askush nuk do të mund të mohojë mohimin, se ndryshe mbetet në vend e, kur të kërkojë të lëvizë sadopak, do të më kujtojë jo pak.
“Uni” im do të doja ta mbysë unin, për të qenë “Unë”!
Provoni të më tregoni dyshin e unë do t‘ju them se kush është infiniti.