Mëngjesi fillon duke i thënë vetes: sot do të takoj një njeri të pafytyrë, një mosmirënjohës, një shtypës, një mashtrues, një ziliqar, një njeri që mendon vetëm për vete. Sjellja e tyre varet gjithmonë nga fakti se nuk dinë të ndajnë të mirën nga e keqja. Ndërsa unë, meqenëse, duke u menduar për natyrën e së mirës e së keqes kam arritur në përfundimin se bëhet fjalë përkatësisht për atë që është e bukur apo e shëmtuar në kuptimin moral dhe duke u menduar për natyrën e atij që gabon kam arritur në përfundimin se bëhet fjalë për një të afërm timin, jo ngaqë kemi të njëjtin gjak apo të njëjtën farë, por sepse kemi një grimcë nga mendja e trashëguar, kështu pra, unë nuk mund të kem keq nga asnjëri prej tyre, sepse askush nuk mund të më ngatërrojë në punë të turpshme, e as nuk mund të zemërohem me një të afërm apo ta urrej atë. Në të vërtetë ne kemi lindur për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin ashtu siç ndodh me këmbët, duart, qepallat, dhëmbët e sipërm e të poshtëm. Prandaj të vepruarit njëri kundër tjetrit është në kundërshtim me natyrën ashtu siç, po të zemërohemi me dikë e ta hedhim poshtë me mospërfillje ate, kjo të thotë të veprojmë kundër tij.