Deshira për të vërtetën, që do të vazhdojë të na joshë me shumë rreziqe, ai shpirt i famshëm për të vërtetën, për të cilën të gjithë filozofet
kanë folur deri më sot me nderim, pra, kjo dëshirë për të vërtetën na ka shtruar pyetje të shumta! Pyetje të çuditshme, të tmerrshme,
të dyshimta!
Eshtë pra një histori e gjatë, megjithatë a nuk duket që sapo ka filluar? Çfarë mrekullie nëse më në fund do të bëheshim një herë e mirë mosbesues dhe do të humbisnim durimin duke u sjellë si të padurueshëm! Që edhe nga këndi ynë të mësonim nga ky Sfinks për të pyetur! Kush është ai që na pyet këtu? Çfarë është ajo që brenda nesh synon drejt së vërtetës?
Në të vërtetë ne jemi ndalur gjatë përpara
çështjes së shkakut të kësaj dëshire, derisa, më në fund kemi qëndruar tërësisht përpara një çështjeje tjetër. Kemi pyetur veten se cila është
vlera e kësaj dëshire. Meqenëse duam të vërtetën, përse më shumë jo të
vërtetën? Po pasigurinë? Madje edhe padijen? Na është shtruar përpara problemi i së vërtetës apo jemi ne që jemi vënë përpara problemit? Cili nga ne të dy është këtu Edipi? Cili është Sfinksi? Me sa duket pyetjet dhe pikëpyetjet u kanë lënë takim njëra-tjetrës.
Po a mund të besohet, në fund të fundit, që neve na është dukur se problemi nuk është shtruar kurrë më parë, sikur ne ta shikonim, pasi e vumë në shenjë, me guxim për herë të parë? Në të vërtetë ka rrezik për ta bërë këtë gjë dhe ndoshta nuk ka rrezik më të madh.