Sot lëviza pothuajse në gjithë qytetin! Kisha shumë vite pa e bërë diçka të tillë;shihja rrugët e vjetra të cilat nuk kishin ndryshuar dhe aq shumë,kishte tek-tuk gropa dhe kanale të cilat më zgjuan disa kujtime qesharake por domethënëse!
Shihja pemët,fillova ti prekja sikur më kishte marrë malli për lëkurën e vrazhdët. Diku më tutje pashë pemë të prera të cilat dikur kam luajtur me shokët e mi. Shkova aty pranë dhe gjeta një gur të madh ku uleshim për të biseduar rreth sporteve të ndryshme!
Më larg më kapën sytë disa shtëpi të vjetra ku shkonim për të kërkuar ujë. Më kujtohet akoma një plakë e cila na e jepte gotën me ujë duke na përkëdhelur flokët,e duke na këshilluar të ruheshim se mos ftoheshim ngaqë ishim të djersitur!
Ato shtëpi sot ishin braktisur,nënat kishin ndruar jetë ndërsa fëmijët e tyre janë larguar për një jetë më të mirë nëpër rrugët e botës!
Sa shumë nostalgji,sa shumë kujtime që ishin strukur në memorje të cilat mendoja se ishin harruar! Tani e kuptoj se ajo çka e bën njeriun është memoria e tij e mbushur me kujtime!
O Zot i Madh thashë me vete; Sa shumë që kam ndryshuar bashkë me qytetin tim!
Fillova të ndjeja keqardhje për vetminë e qytetit i cili po boshatiset çdo ditë e më shumë...E kësaj vetmie po i bëja shoqëri qytetit tim për të zbutur pak dhimbjet e saj sepse vetëm një qytetar si unë e kupton këtë dhimbje të qytetit,një bashkëvuajtës dhe bashkëjetues e kuptojnë boshllëkun e njëri tjetrit.
Sepse të dy kemi të njëjtat gjurmë; qytetiti ka gjurmët e mia e ndërsa unë kam gjurmët e tij!
E kush mund ta kuptojë më mirë hallin e dikujt përveçse dikush i cili është rritur me ty!?
Unë dhe Qyteti kemi mbetur të vetmuar duke ngushëlluar njëri tjetrin me kujtimet tona!
Tashmë unë dhe qyteti po shijojmë diellin i cili na ka përqafuar të dyve për të na thënë se një ditë ky qytet ka për tu bërë përsëri si dikur...!!!
Më duket se po ëndërroj në diell...!!!