Informacioni i shumtë dhe i shpejtë që gjendet kudo, në media dhe virtualitet, gjatë gjithë kohës e cila gjendet në duart tona e ka frenuar aftësinë e të menduarit, dhe si rrjedhim, koha e cila kërkohet për të menduar bëhet pengesë për të marrë në kohë reale çdo informacion!
Rëndësia e informacionit është shumë e rëndësishme sepse ajo përbën fuqi por mungesa e mendimit e bën këtë fuqi të jetë një ndikim manipulativ për masën që nuk ka kohë për të menduar!
Një informacion pa mendim është manipulim, një mendim pa informacion është dobësi.
E pyeta dikë që sapo kishte mbaruar së lexuari një libër se çfarë mendimi kishte për librin.
Përgjigja e tij më zhgënjeu sepse më dha thjesht informacion për librin, jo mendimin e tij !
Të kesh informacion rreth një gjëje nuk do të thotë se është mendim, pra, mos e ngatërroni informacionin me mendimin.
Preferoj dikë që analizon dhe mendon gabim rreth një gjëje sesa një person i cili më jep thjesht informacion pa patur aftësinë e të menduarit.
Në këtë rast ka katër lloj njerëzish përsa i përket mendimit:
Ata që dinë të mendojnë.
Ata që mendojnë gabim.
Ata që nuk dinë të mendojnë.
Dhe ata që nuk duan të mendojnë.
Dy të parët ndihmojnë të përmirësohet dija.
Dy të fundit ndihmojnë fanatizmin e verbër.