Saturday, December 10, 2016

Cmenduri

Ti nuk do të gjesh paqe mes gjithë këtyre njerëzve të veshur me togë : këta shqyhen midis tyre për një përfitim qesharak; këta nxjerrin përfitim vetëm nga fatkeqësia e tjetrit; nëse je i lumtur, të urrejnë dhe, nese je fatkeq, të përbuzin; ndërsa shtypen nga të mëdhenjtë, të gjithë këta shtypin të vegjlit duke u nxitur nga dëshira të ndryshme, dhe janë gati të shkatërrojnë gjithçka për një kënaqësi të kotë ose për pak plaçkë. Ata bëjnë një jetë gladiatorësh: hanë së bashku, luftojnë së bashku. Shoqëria jonë është shoqëri e kafshëve të egra, por edhe këto tregohen të buta ndërmjet tyre dhe tërhiqen e nuk e shpartallojnë njëra-tjetrën. Kurse njeriu është i etur për gjak njerëzor; gjëja e vetme që, në këtë pikë, e ndan atë nga kafshët, është: këto e ruajnë dorën që i ushqen, edhe kur tërbimi i saj bie mbi kurrizin e tyre.
Sapo njeriu i urtë të fillojë të acarohet, zemërimi nuk do ta lëshojë më: bota është e mbushur me vese dhe krime; ato janë kaq të shumta në numër, sa nuk mund të bien nga goditja e ligjit. Njerëzit maten me njëri-tjetrin me ligësi. Dëshira për të bërë keq rritet e rritet çdo ditë, kurse turpi po na braktis. Nuk ka më nderim për të mirën dhe drejtësinë; dëshira turret atje ku i duket asaj më mirë, dhe krimi as që fshihet më: ai lulëzon para syve tanë. Perversiteti është bërë aq i përgjithshëm dhe ka marrë aq shumë pushtet te të gjithë njerëzit, saqë pafajësia, jo është bërë e rrallë, por as që shihet më gjëkundi. Mos ndoshta një grusht njerëzish kanë dhunuar ligjin? Jo! Më e saktë do të ishte të thuhej që njerëzit i janë bundur një sinjali dhe janë derdhur nga të gjitha anët për të përmbysur pengesat qe ndajnë të mirën nga e keqja.

Miku dyshon te miku, vjehrri te dhëndri,
E rrallë po bëhet dashuria vëllazërore,
Çdonjëri nga bashkëshortët përgjon të vdesë tjetri,
Njerkat e liga përgatisin helme,
Biri pret me padurim vdekjen e të atit.

Dhe këto janë vetëm një pjesë e vogël krimesh! Poeti nuk i ka përshkruar luftërat vëllavrasëse, etërit e bijtë që u binden betimeve të ndryshme, atdheun e braktisur mes flakësh nga njëri prej bijve të tij, luftëtarët  e tmerrshëm që futurojnë nga të gjitha anët për të zbuluar strehimet e të fshehurve, burimet me ujë të helmuar, murtajat e sëmundje shkaktuara nga dora njerëzore , burgjet plotpërplot, zjarret që gëlltitin qytete të tëra, tiranitë e kobshme, komplotet e kurdisura në fshehtësi për të shkatërruar shtete dhe mbretëri, veprimet që sot u thuren lavde, por që në përballje me ligjin nuk janë më pak se krimi: rrëmbimet e përdhunimet, shthurja që shqiptohet pa drojë nga të gjitha buzët.Shtoji këtyre shkeljet e betimeve zyrtare të popujve, traktatet e prishura, gjithçka që është bërë gjah i më të fortit për shkak të mungesës së qëndresës, mashtrimet, dredhirat, vjedhjet, mohimet e borxheve, shkeljet e shumta të ligjit për të cilat nuk mjaftojnë as tre Forume. Në qoftë se ti do që njeriu i urtë të zemërohet në përpjesëtim me tmerrin e krimeve të shëmtuara, atëherë ky nuk do të jetë më zemërim, por çmenduri.

Thursday, December 8, 2016

Zemërimi

Fragment nga libri : Zemërimi,demet dhe mjekimi nga filozofi i lashte Seneka.

...Gjithashtu, nuk duhet të kemi mendimin se zemërimi ndihmon në madhështimin e shpirtit. Sepse zemërimi nuk është madhështi, por fryrje; fryrja e trupit nga mbledhja e ujit në hapësirat e tij të zbrazëta nuk është majmëri, por një fryrje shëndetligë. Të gjithë ata që marrëzia i ngre mbi mendimin njerëzor, kujtojnë se frymëzohen nga nuk e di se ç’gjë e lartë dhe e madhërishme; por, në themel të këtij frymëzimi nuk ka asgjë të qëndrueshme; e ardhmja e çdo ndërtimi pa themele, është shkatërrimi. Zemërimi nuk ka themele. Ai nuk bën asgjë të qëndrueshme e jetëgjatë; gjithçka në të është erë e zbrazëtirë; ai është aq larg nga madhështia shpirtërore, saç është guximi i tepruar nga trimëria e vërtetë, fodullëku nga besimi, trishtimi nga mundimi, mizoria nga rreptësia.Po e përsëris, një humnerë e tërë e ndan njeriun zemërmadh nga njeriu mendjemadh. Zemërimi nuk ndërton asgjë të madhe e të bukur. Përkundrazi, tek ankthi i zakonshëm, unë shikoj shenjën e një shpirti të thatë e të venitur, që e di dobësinë e vet, njëlloj si ata të sëmurët me plagë, që rënkojnë sapo ua fshikin ato. Si rrjedhim, zemërimi është një ves që takohet kryesisht te gratë dhe fëmijët. “Por edhe burrat vuajnë prej tij” Kjo, sepse edhe. disa burra kanë karakter fëmijëror ose femëror.

Dija para punes

Nga natyra njerezore eshte qe njeriu perpiqet te shmange demet dhe te fitoje dobite.Por si mund te kesh sukses nese nuk njeh cfare eshte e dobishme dhe cfare e demshme per ty?
Nese njeriu do mesonte me pare cfare eshte e dobishme dhe cfare e demshme para se te perpiqej per to,atehere dituria do kishte me shume vlere sesa cdo pune tjetër.
Prandaj,vendosni dijen para cdo pune tjeter qe te keni sukses.
Para se te beheni zoterinj,behuni ne fillim te ditur!

Gjithcka dhe asgjë

Ka njerez qe enderrojne te kene gjithcka qe duan.Por cfare vlere do kishte jeta nese do kishe gjithcka?
Jeta merr kuptim kur ke dicka per te bërë per te arritur dicka qe nuk e ke arritur.
Jeta merr kuptim kur ndien nevojen per dicka qe nuk e ke,per dicka qe te mungon per te cilen enderron ta kesh.Jeta merr kuptim kur gjen vetveten ne ate qe vepron,ne ate qe te frymezon te veprosh.
Te kesh gjithçka pa patur asgje per te bere është njësoj si te mos kesh asgje kur gjithcka eshte e jotja.

Nuk ka sukses me te lodhshem sesa kur je i deshirueshem per te gjithe por i pa arritshem per asnjë.Je i detyruar te jetosh suksesin ne vetmi.

Nuk ka sukses me te lodhshem sesa kur je i deshirueshem per te gjithe por i pa arritshem per asnjë.Je i detyruar te jetosh suksesin ne vetmi.

Friday, December 2, 2016

Mos u hidhëro, mos u zemëro.

Mos u hidhëro, mos u zemëro…

Ne, njerëzit, si domosdoshmëri e krijimit, jemi të detyruar të jetojmë gjithmonë bashkë në këtë botë, që është një vend prove me të gjitha anët e saj të ëmbla e të hidhura. Po qe se në jetën e përbashkët nuk u përmbahemi disa rregullave, nuk mund të sigurojmë qetësinë dhe kënaqësinë shoqërore. E një prej faktorëve shpirtërorë që e shtyjnë njeriun për të vepruar në mënyrë të menjëhershme dhe të vrullshme, është hidhërimi, zemërimi, i cili përkufizohet sipas psikologjisë si: “shtytje e brendshme për t’i shkaktuar dhimbje dikujt që kërkon të na bëhet pengesë gjatë zbatimit të prirjeve tona”. E ky njeri i zemëruar i përngjet anijes që kapet pas furtunave të mëdha nën ciklonet e fuqishme duke i humbur ekuilibrin krejtësisht, i zemëruar e i hidhëruar, e shan atë që ka përballë dhe e dhunon.

Prandaj; Mos u hidhëro: Sepse hidhërimi, të shqetëson ty për të kaluarën, të frikëson për të ardhmen e kështu të ikën si pa kuptuar e tashmja…
Mos u hidhëro: Sepse zemra ligështohet, fytyra vrenjtet, shpirti shuhet dhe shpresa venitet…
Mos u hidhëro: Sepse gëzohet ai që nuk të do, zemërohet miku, kënaqet me ty ziliqari, si dhe keqinterpretohet e vërteta…
Mos u hidhëro: Sepse ky hidhërim nuk ta kthen atë që ke humbur apo atë që shkoi, as nuk e ngjall të vdekurin, as nuk e ndryshon fatin e nuk të sjell dobi…
Mos u hidhëro: A nuk ishe ti që e provove këtë mërzitje dje dhe nuk të dha dobi…?! Fëmija yt nuk e kaloi provimin, e ti u hidhërove, por a e mori ai atë (provimin)? Ndërroi jetë një prej të afërmve të tu, e ti u hidhërove, por a u kthye ai përsëri…? Humbe në tregti e u hidhërove, por a u kthye kjo humbje në fitim…?
Mos u hidhëro: Në të vërtetë ti hidhërohesh nga një fatkeqësi që të bie, por pëson edhe më shumë fatkeqësi nga ky hidhërim…, sepse nëse hidhërohesh për varfërinë, ajo të shtohet, e nëse hidhërohesh nga fjalët e atyre që nuk të duan, atëherë bie pre e tyre e mundohesh më shumë…
Mos u hidhëro: Sepse hidhërimi ta paraqet ujin e ftohtë si të nxehtë, trëndafilin si një lule gjembaçe, bahçen me lule si shkretëtirë dhe jetën si një burg që nuk durohet…
Mos u hidhëro: Ti ke Zotin që të besosh…, ke shtëpi ku të banosh…, ke ushqim për të ngrënë…, ke ujë për të pirë…, ke rroba për të veshur…, ke grua, ke fëmijë…, atëherë përse hidhërohesh?!
Mos u hidhëro: Nëse ti je i varfër, shiko poshtë teje, ka edhe më keq se ty, ai i cili është i zhytur në borxhe…, e nëse nuk ke mundësi t’i hipësh një mjeti për të udhëtuar, ke këmbët e tua, por ka edhe më keq se ty, se ka të tjerë që nuk i kanë (janë të paralizuar)…, e nëse ankohesh nga ndonjë dhimbje, ka shumë të tjerë që dergjen në shtrat e nuk lëvizin…, e nëse humb ndonjë fëmijë, të tjerë kanë humbur edhe më shumë se ti…
Mos u hidhëro: Nëse gabon pendohu, nëse lëndon dikë kërko falje, nëse bën padrejtësi ndreqe atë, riparoje, sepse mëshira është e madhe, dhe dyert e saj janë të hapura, falja, ndjesa është e gjerë e fisnike dhe pendimi është i pranuar…
Mos u hidhëro: Sepse bëhesh nervoz, temperamenti yt tronditet, lëkundet, e për rrjedhojë zemra të lodhet e të kaplon pagjumësia… E ndërsa tek Zoti është mbrojtja, Ai të zgjat dorën, të ndihmon, të jep rrugëdaljen, shpëtimin edhe atje ku mendon se nuk ka…
Mos u hidhëro: Sepse kaderi është i padiskutueshëm e i përcaktuar, fati është i pashmangshëm, e lapsat u thanë dhe fletët u mbyllën e çdo gjë është aty ku duhet të jetë…e ky hidhërimi yt as nuk e afron atë që do të ndodhë e as nuk e largon, as nuk e shton e as nuk e pakëson…
Mos u hidhëro: Sepse hidhërimi është si ajo era e keqe që përhapet në atmosferë sikur aroma e luleve të kalbura në kopësht…
Mos u hidhëro: Sepse ai që është i hidhëruar i ngjet lumit të tërbuar që merr me vete gjithçka i del para dhe shkatërron…
Mos u hidhëro: Jeta është shumë e shkurtër, dhe nuk të sjell dobi nëse atë e mbush me hidhërim, në vend që ta mbushësh atë me dashuri e qetësi, e po ashtu nuk të sjell dobi kur netët i mbush me shqetësime e mundime se dhe ajo dashuri që ke të të venitet.
Mos u hidhëro: Sepse sado pasuri të kesh apo kështjella të larta të zotërosh, nëse je i hidhëruar e i dëshpëruar, ato nuk ndikojnë dhe nuk gjen rehati, përkundrazi, të shtohet edhe më tepër hidhërimi, vetmia, brengosja e pikëllimi dhe të duket sikur të përpin ajo sipërfaqe e madhe që zotëron…
Mos u hidhëro: Sepse edhe sikur të kishe të gjitha mjekimet e mjekëve më të njohur, ilaçet e farmacistëve apo edhe sugjerimet e psikologëve, nuk do të sillnin ndonjë dobi tek ty e nuk do të të gëzonin, sepse zemra jote u bë vendqëndrim për hidhërimin, sytë e tu u bënë shtrat për të, gjymtyrët e tua u hapën për të e ndërsa lëkura jote e maskoi, e fshehu atë…
Mos u hidhëro: Sepse në të vërtetë Zoti krijoi për ty tokën dhe gjithçka ka në të e mbi të, krijoi për ty kopshte, lulishte, parqe etj…, me lule e pemë të shumëllojshme, e po ashtu krijoi edhe yjet ndriçues, hënën, diellin dhe gjithçka ka në qiell, e çdo gjë e krijoi në harmoni. E ti përsëri hidhërohesh?!
Mos u hidhëro: Sepse ti ecën me këmbët e tua, merr frymë lirisht dhe thith ajër të pastër, gjumin e bën të sigurt…
Mos u hidhëro: A nuk i sheh retë e zeza se si shpërndahen…, natën e errët që i lë vendin agimit…, apo furtuna se si qetësohet…, apo edhe se si të tërheq ty drejt mirësisë e bollëkut, drejt një jetë të hareshme dhe një të ardhme të begatshme…
Mos u hidhëro: Sepse rrezet e diellit nuk të djegin sepse me hije të mbulon, etja nuk të merr se shiun ta zbret, uria nuk të kap se ushqimin ta ofron, dhimbjet t’i largon se shëndetin ta jep, e ty nuk të mbetet asgjë të bësh, vetëm të durosh pak dhe të presësh çastin…
Mos u hidhëro: Sepse hidhërimi, shqetësimi, mërzia janë shkaktarë të sëmundjeve shpirtërore e trupore, janë burim i nervozizmit, shkatërrimit nervor, anktheve, etj…

Thursday, December 1, 2016