Friday, December 2, 2016

Mos u hidhëro, mos u zemëro.

Mos u hidhëro, mos u zemëro…

Ne, njerëzit, si domosdoshmëri e krijimit, jemi të detyruar të jetojmë gjithmonë bashkë në këtë botë, që është një vend prove me të gjitha anët e saj të ëmbla e të hidhura. Po qe se në jetën e përbashkët nuk u përmbahemi disa rregullave, nuk mund të sigurojmë qetësinë dhe kënaqësinë shoqërore. E një prej faktorëve shpirtërorë që e shtyjnë njeriun për të vepruar në mënyrë të menjëhershme dhe të vrullshme, është hidhërimi, zemërimi, i cili përkufizohet sipas psikologjisë si: “shtytje e brendshme për t’i shkaktuar dhimbje dikujt që kërkon të na bëhet pengesë gjatë zbatimit të prirjeve tona”. E ky njeri i zemëruar i përngjet anijes që kapet pas furtunave të mëdha nën ciklonet e fuqishme duke i humbur ekuilibrin krejtësisht, i zemëruar e i hidhëruar, e shan atë që ka përballë dhe e dhunon.

Prandaj; Mos u hidhëro: Sepse hidhërimi, të shqetëson ty për të kaluarën, të frikëson për të ardhmen e kështu të ikën si pa kuptuar e tashmja…
Mos u hidhëro: Sepse zemra ligështohet, fytyra vrenjtet, shpirti shuhet dhe shpresa venitet…
Mos u hidhëro: Sepse gëzohet ai që nuk të do, zemërohet miku, kënaqet me ty ziliqari, si dhe keqinterpretohet e vërteta…
Mos u hidhëro: Sepse ky hidhërim nuk ta kthen atë që ke humbur apo atë që shkoi, as nuk e ngjall të vdekurin, as nuk e ndryshon fatin e nuk të sjell dobi…
Mos u hidhëro: A nuk ishe ti që e provove këtë mërzitje dje dhe nuk të dha dobi…?! Fëmija yt nuk e kaloi provimin, e ti u hidhërove, por a e mori ai atë (provimin)? Ndërroi jetë një prej të afërmve të tu, e ti u hidhërove, por a u kthye ai përsëri…? Humbe në tregti e u hidhërove, por a u kthye kjo humbje në fitim…?
Mos u hidhëro: Në të vërtetë ti hidhërohesh nga një fatkeqësi që të bie, por pëson edhe më shumë fatkeqësi nga ky hidhërim…, sepse nëse hidhërohesh për varfërinë, ajo të shtohet, e nëse hidhërohesh nga fjalët e atyre që nuk të duan, atëherë bie pre e tyre e mundohesh më shumë…
Mos u hidhëro: Sepse hidhërimi ta paraqet ujin e ftohtë si të nxehtë, trëndafilin si një lule gjembaçe, bahçen me lule si shkretëtirë dhe jetën si një burg që nuk durohet…
Mos u hidhëro: Ti ke Zotin që të besosh…, ke shtëpi ku të banosh…, ke ushqim për të ngrënë…, ke ujë për të pirë…, ke rroba për të veshur…, ke grua, ke fëmijë…, atëherë përse hidhërohesh?!
Mos u hidhëro: Nëse ti je i varfër, shiko poshtë teje, ka edhe më keq se ty, ai i cili është i zhytur në borxhe…, e nëse nuk ke mundësi t’i hipësh një mjeti për të udhëtuar, ke këmbët e tua, por ka edhe më keq se ty, se ka të tjerë që nuk i kanë (janë të paralizuar)…, e nëse ankohesh nga ndonjë dhimbje, ka shumë të tjerë që dergjen në shtrat e nuk lëvizin…, e nëse humb ndonjë fëmijë, të tjerë kanë humbur edhe më shumë se ti…
Mos u hidhëro: Nëse gabon pendohu, nëse lëndon dikë kërko falje, nëse bën padrejtësi ndreqe atë, riparoje, sepse mëshira është e madhe, dhe dyert e saj janë të hapura, falja, ndjesa është e gjerë e fisnike dhe pendimi është i pranuar…
Mos u hidhëro: Sepse bëhesh nervoz, temperamenti yt tronditet, lëkundet, e për rrjedhojë zemra të lodhet e të kaplon pagjumësia… E ndërsa tek Zoti është mbrojtja, Ai të zgjat dorën, të ndihmon, të jep rrugëdaljen, shpëtimin edhe atje ku mendon se nuk ka…
Mos u hidhëro: Sepse kaderi është i padiskutueshëm e i përcaktuar, fati është i pashmangshëm, e lapsat u thanë dhe fletët u mbyllën e çdo gjë është aty ku duhet të jetë…e ky hidhërimi yt as nuk e afron atë që do të ndodhë e as nuk e largon, as nuk e shton e as nuk e pakëson…
Mos u hidhëro: Sepse hidhërimi është si ajo era e keqe që përhapet në atmosferë sikur aroma e luleve të kalbura në kopësht…
Mos u hidhëro: Sepse ai që është i hidhëruar i ngjet lumit të tërbuar që merr me vete gjithçka i del para dhe shkatërron…
Mos u hidhëro: Jeta është shumë e shkurtër, dhe nuk të sjell dobi nëse atë e mbush me hidhërim, në vend që ta mbushësh atë me dashuri e qetësi, e po ashtu nuk të sjell dobi kur netët i mbush me shqetësime e mundime se dhe ajo dashuri që ke të të venitet.
Mos u hidhëro: Sepse sado pasuri të kesh apo kështjella të larta të zotërosh, nëse je i hidhëruar e i dëshpëruar, ato nuk ndikojnë dhe nuk gjen rehati, përkundrazi, të shtohet edhe më tepër hidhërimi, vetmia, brengosja e pikëllimi dhe të duket sikur të përpin ajo sipërfaqe e madhe që zotëron…
Mos u hidhëro: Sepse edhe sikur të kishe të gjitha mjekimet e mjekëve më të njohur, ilaçet e farmacistëve apo edhe sugjerimet e psikologëve, nuk do të sillnin ndonjë dobi tek ty e nuk do të të gëzonin, sepse zemra jote u bë vendqëndrim për hidhërimin, sytë e tu u bënë shtrat për të, gjymtyrët e tua u hapën për të e ndërsa lëkura jote e maskoi, e fshehu atë…
Mos u hidhëro: Sepse në të vërtetë Zoti krijoi për ty tokën dhe gjithçka ka në të e mbi të, krijoi për ty kopshte, lulishte, parqe etj…, me lule e pemë të shumëllojshme, e po ashtu krijoi edhe yjet ndriçues, hënën, diellin dhe gjithçka ka në qiell, e çdo gjë e krijoi në harmoni. E ti përsëri hidhërohesh?!
Mos u hidhëro: Sepse ti ecën me këmbët e tua, merr frymë lirisht dhe thith ajër të pastër, gjumin e bën të sigurt…
Mos u hidhëro: A nuk i sheh retë e zeza se si shpërndahen…, natën e errët që i lë vendin agimit…, apo furtuna se si qetësohet…, apo edhe se si të tërheq ty drejt mirësisë e bollëkut, drejt një jetë të hareshme dhe një të ardhme të begatshme…
Mos u hidhëro: Sepse rrezet e diellit nuk të djegin sepse me hije të mbulon, etja nuk të merr se shiun ta zbret, uria nuk të kap se ushqimin ta ofron, dhimbjet t’i largon se shëndetin ta jep, e ty nuk të mbetet asgjë të bësh, vetëm të durosh pak dhe të presësh çastin…
Mos u hidhëro: Sepse hidhërimi, shqetësimi, mërzia janë shkaktarë të sëmundjeve shpirtërore e trupore, janë burim i nervozizmit, shkatërrimit nervor, anktheve, etj…