Fragment nga libri : Zemërimi,demet dhe mjekimi nga filozofi i lashte Seneka.
...Gjithashtu, nuk duhet të kemi mendimin se zemërimi ndihmon në madhështimin e shpirtit. Sepse zemërimi nuk është madhështi, por fryrje; fryrja e trupit nga mbledhja e ujit në hapësirat e tij të zbrazëta nuk është majmëri, por një fryrje shëndetligë. Të gjithë ata që marrëzia i ngre mbi mendimin njerëzor, kujtojnë se frymëzohen nga nuk e di se ç’gjë e lartë dhe e madhërishme; por, në themel të këtij frymëzimi nuk ka asgjë të qëndrueshme; e ardhmja e çdo ndërtimi pa themele, është shkatërrimi. Zemërimi nuk ka themele. Ai nuk bën asgjë të qëndrueshme e jetëgjatë; gjithçka në të është erë e zbrazëtirë; ai është aq larg nga madhështia shpirtërore, saç është guximi i tepruar nga trimëria e vërtetë, fodullëku nga besimi, trishtimi nga mundimi, mizoria nga rreptësia.Po e përsëris, një humnerë e tërë e ndan njeriun zemërmadh nga njeriu mendjemadh. Zemërimi nuk ndërton asgjë të madhe e të bukur. Përkundrazi, tek ankthi i zakonshëm, unë shikoj shenjën e një shpirti të thatë e të venitur, që e di dobësinë e vet, njëlloj si ata të sëmurët me plagë, që rënkojnë sapo ua fshikin ato. Si rrjedhim, zemërimi është një ves që takohet kryesisht te gratë dhe fëmijët. “Por edhe burrat vuajnë prej tij” Kjo, sepse edhe. disa burra kanë karakter fëmijëror ose femëror.