Ti nuk do të gjesh paqe mes gjithë këtyre njerëzve të veshur me togë : këta shqyhen midis tyre për një përfitim qesharak; këta nxjerrin përfitim vetëm nga fatkeqësia e tjetrit; nëse je i lumtur, të urrejnë dhe, nese je fatkeq, të përbuzin; ndërsa shtypen nga të mëdhenjtë, të gjithë këta shtypin të vegjlit duke u nxitur nga dëshira të ndryshme, dhe janë gati të shkatërrojnë gjithçka për një kënaqësi të kotë ose për pak plaçkë. Ata bëjnë një jetë gladiatorësh: hanë së bashku, luftojnë së bashku. Shoqëria jonë është shoqëri e kafshëve të egra, por edhe këto tregohen të buta ndërmjet tyre dhe tërhiqen e nuk e shpartallojnë njëra-tjetrën. Kurse njeriu është i etur për gjak njerëzor; gjëja e vetme që, në këtë pikë, e ndan atë nga kafshët, është: këto e ruajnë dorën që i ushqen, edhe kur tërbimi i saj bie mbi kurrizin e tyre.
Sapo njeriu i urtë të fillojë të acarohet, zemërimi nuk do ta lëshojë më: bota është e mbushur me vese dhe krime; ato janë kaq të shumta në numër, sa nuk mund të bien nga goditja e ligjit. Njerëzit maten me njëri-tjetrin me ligësi. Dëshira për të bërë keq rritet e rritet çdo ditë, kurse turpi po na braktis. Nuk ka më nderim për të mirën dhe drejtësinë; dëshira turret atje ku i duket asaj më mirë, dhe krimi as që fshihet më: ai lulëzon para syve tanë. Perversiteti është bërë aq i përgjithshëm dhe ka marrë aq shumë pushtet te të gjithë njerëzit, saqë pafajësia, jo është bërë e rrallë, por as që shihet më gjëkundi. Mos ndoshta një grusht njerëzish kanë dhunuar ligjin? Jo! Më e saktë do të ishte të thuhej që njerëzit i janë bundur një sinjali dhe janë derdhur nga të gjitha anët për të përmbysur pengesat qe ndajnë të mirën nga e keqja.
Miku dyshon te miku, vjehrri te dhëndri,
E rrallë po bëhet dashuria vëllazërore,
Çdonjëri nga bashkëshortët përgjon të vdesë tjetri,
Njerkat e liga përgatisin helme,
Biri pret me padurim vdekjen e të atit.
Dhe këto janë vetëm një pjesë e vogël krimesh! Poeti nuk i ka përshkruar luftërat vëllavrasëse, etërit e bijtë që u binden betimeve të ndryshme, atdheun e braktisur mes flakësh nga njëri prej bijve të tij, luftëtarët e tmerrshëm që futurojnë nga të gjitha anët për të zbuluar strehimet e të fshehurve, burimet me ujë të helmuar, murtajat e sëmundje shkaktuara nga dora njerëzore , burgjet plotpërplot, zjarret që gëlltitin qytete të tëra, tiranitë e kobshme, komplotet e kurdisura në fshehtësi për të shkatërruar shtete dhe mbretëri, veprimet që sot u thuren lavde, por që në përballje me ligjin nuk janë më pak se krimi: rrëmbimet e përdhunimet, shthurja që shqiptohet pa drojë nga të gjitha buzët.Shtoji këtyre shkeljet e betimeve zyrtare të popujve, traktatet e prishura, gjithçka që është bërë gjah i më të fortit për shkak të mungesës së qëndresës, mashtrimet, dredhirat, vjedhjet, mohimet e borxheve, shkeljet e shumta të ligjit për të cilat nuk mjaftojnë as tre Forume. Në qoftë se ti do që njeriu i urtë të zemërohet në përpjesëtim me tmerrin e krimeve të shëmtuara, atëherë ky nuk do të jetë më zemërim, por çmenduri.