Pak nga pak mua më është bërë e qartë se çfarë ka qenë deri sot çdo filozofi e madhe, pra dhe rrëfimi i vetvetishëm i autorit të saj dhe një lloj mèmoires të pavullnetshme dhe të shkujdesura, por edhe që synimet morale
(ose imorale) kanë përbërë farën e vërtetë jetësore të çdo filozofie nga e cila herë pas herë është rritur e gjithë pema. Në të vërtetë bëhet mirë ( dhe është edhe pjekuri) në qoftë se, për të shpjeguar këtë, si gjë e parë na kërkohet se si janë zhvilluar pohimet më të largêta metafizike të një filozofi, drejt cilit moral priret e gjithë kjo (drejt cilit moral priret ai vetë). Si pasojë nuk mendoj se babai i flozofisë është një "shtysë në njohje", por që këtu, si zakonisht, një tjetër instinkt e ka shfrytëzuar njohjen (dhe njohjen e gabuar) vetëm si një mjet. Por ai që merr parasysh instinktet themelore të qenieve njerëzore për të parë se deri në çfarë pike pikërisht këtu ata kanë mundur të bëjnë lojën e tyre si gjeni frymëzuese (ose djaj ose shpirtra), do të zbulojë se dikur ata janë marrë të gjithë me filozofi dhe se secilit prej tyre, madje, do ti pëlqente tepër ta paraqiste veten si qëllimin e fundit të jetës dhe mendimin e ligjshëm të gjithë instinkteve të tjera. Në të vërtetë, çdo
instinkt është i papërmbajtur për pushtet dhe si i tillë synon të filozofojë.Pa dyshim, midis njerëzve të ditur, midis njerëzve të vërtetë të shkencës gjërat mund të qëndrojnë ndryshe, "më mirë" në qoftë se duan: mund të ketë me të vërtetë diçka si një instinkt njohjeje, njëfarë mekanizmi ore të vogël të pavarur që, i kurdisur mire, ti kushtohet me guxim kësaj pa qenë e
thënë që instinktet e tjera te njerezve te ditur te marrin pjesë aty në mënyrë të qenësishme. Prandaj "interesat " e vertete te njerezve të ditur zakonisht synojnë drejt një fushe krejt te ndryshme, për shembull drejt familjes ose
për të bërë apo për t'u marrë me politikë. Madje është gati edhe i painteres nëse mekanizmi i tij i vogël zbatohet në këtë ose në atë fushë të shkencave dhe nëse punonjësi i ri "plot shpresa" bëhet edhe një filolog i mirë apo një
njohës i kërpudhave apo një kimist : kjo nuk e përcakton faktin për t'u bërë ky ose ai. Përkundrazi, tek filozofi nuk ka asgjë të pangjyrshme; dhe mbi të gjitha morali i tj dëshmon në mënyrë të prerë dhe vendimtare kush është ai : gjë që do të thotë se në çfarë shkalle hierarkike qëndrojnë midis tyre
instinktet më të thella të natyrës së tij.