Monday, July 6, 2020

Magjepsja e poezisë

Poezia ka fuqinë të magjepsë, prandaj ndodh që lexuesi të mos e analizojë dot përmbajtjen e saj.
Nëse lexuesi do kishte më shumë forcë analitike sesa magjia e poezisë, do kuptonte se poezia e vërtetë, poezia që trondit themelet e shpirtit, poezia që bën të vlojë gjaku, poezia që i jep guxim frikacakut, poezia që e bën të çalin të vrapojë, poezia që të fut në një tjetër botë, poezia që të therr me ironi çdo ves, poezia që i këput gjunjët dashurisë, poezia që mbretin e bën fukara dhe fukarain mbret, plakën e bën vajzë dhe djalin e bën burrë. Poezia që nuk të largohet nga mendja sado që mundohesh ta harrosh, poezia që të bën me turp, poezia që e bën adhuruesin ateist dhe ateistin adhurues, poezia që të përkund si foshnjë në dallgët e jetës, poezia që vdekjen ta bën të bukur dhe jetën e mjeruar ta bën art...kjo lloj poezie sot mungon, ose nëse diku gjendet, mendoj se është tepëre rrallë !
Do kuptonte se poetët e vërtetë gjenden shumë rrallë ndërsa poetucë gjenden me shumicë !
Megjithatë, nuk dua që t'ju heq guximin për të shkruar, përkundrazi, duhet të shkruani sepse nuk i duhet, ndoshta jeni ju një nga poetët e rrallë në këto ditë të zymta !