Abraham Molls-i termat si imazhi, parabola, simulimi, metafora, simboli etj. i sheh si një ëndërr të antikitetit latin. Ai më tepër ndalet tek parabola, të cilën mund ta quajmë rikrijim, ringjallje të së qenës. Në një mënyrë, ripërtëritje dhe fshehje e së vërtetës. Një e vërtetë ‘më e vogël’. Parabola, në duart e poetëve çdoherë fiton nga një dimension, nga një kuptim të këtillë të ri, dalngadalë, duke e tejkaluar edhe të vërtetën, bëhet një e vërtetë edhe më e vërtetë se vetë e vërteta. Do të shkojë edhe më tej dhe do të thotë: ‘Poeti është një parabolist aq i përkryer sa që mund ta ripersonifikojë edhe dhembjen që e ka ndjerë në të vërtetë’. Pa dyshim, poetët të gjitha artet e fjalës i shfrytëzojnë për ta shikuar të vërtetën me një sy të ri, për t’i dhënë asaj një formë të re, për ta prodhuar; e për ta ribërë atë.