Që moti fjalëzat e trajtës dhe të përmbajtjes janë fundosur thellë brenda meje. Megjithatë më duket sikur diç lënë përjashta. Së pari hapin udhën që t’i mendosh si dy gjëra të ndryshme. Në fakt s’janë të tilla. Por nëse me çdo kusht do të kishim dashur t’i ndajmë, do të ishte më drejtë ta përdorim shprehjen strukturë sesa trajtë. K. L. Shtraus-i preferon që në vend të trajtës ta përdorë strukturën: Përmbajtja e fiton vërtetësinë në strukturë. Për këtë arsye, trajta është strukturë. Edhe një gjë e kuptojmë: përmbajtja, për ta fituar identitetin e vet ka nevojë për strukturën. Vetëm kështu e vërteton dhe e bën të qenë vetveten. Me të vërtetë, poezinë e njohim para së gjithash në saje të strukturës së vet. Çdo poezi ka vetëm një strukturë. Ajo është tek. S’mund të përsëritet. Edhe pse struktura jep përshtypjen e një kutie të mbyllur, në thelb është e lëvizshme dhe transparente. Ajo i plotëson të gjitha kërkesat e përmbajtjes. Në strukturën e poezisë këtë e shohim me tërë lakuriqësinë si një dru (Struktura e poezisë është e gjallë mu si druri).