Takimi me poezinë, është takim me mrekullinë, thuajse ardhje për së dyti në këtë botë. Takimi me poezinë ka kuptimin e rishikimit, riprekjes dhe rinjohjes së çdo gjëje. Ka kuptimin e marrjes qëndrim. Takimi me poezinë është lënie mënjanë e të gjitha njohurive të fituara mbi botën deri në çastin gjegjës, është lënie e njerëzve dhe e gjësendeve dhe shikim i gjërave prej aty. Poashtu kjo, qartas, do të thotë edhe rënie në një zbrazëtirë të madhe, gëlim e zvarritje. (A s’folëm për ardhjen në këtë botë rishtazi?) Pastaj, poetët çdoherë e kanë marrë mbi vete detyrën e shkruarjes së fjalorit të ri të botës. Për ta arritur një gjë të tillë asgjë nuk duhet lejuar të hyjë mes poetit dhe asaj që ai synon ta shkruajë; ai duhet të mbetet në vetmi me të, vetëm atë duhet ta shikojë, vetëm atë duhet ta (për) jetojë, duhet të mos ndahet prej saj. Poezinë duhet pritur (të na vijë) lakuriqe! Poetët këtë e (për)jetojnë çdo herë që takohen me poezinë.