Qenia e poezisë, në të shumtën e rasteve, është e dyshimtë. Ajo s’e gërvisht e s’e mbërthen mendjen e shumicës së njerëzve. S’hyn në jetën e tyre; s’ia lejon as vetes të hyjë; s’i hyn në punë kujt. Shi për këtë njerëzit s’e pranojnë. Se ajo është jashtë jetës së njeriut. Është një e vërtetë: poezia s’ka ndonjë qëllim paraprak, s’jep ndonjë mësim. Për këtë arsye s’jep siguri. Qëndrimi në distancë i shumicës ndaj poezisë nuk është gjë që s’kuptohet. Qëndrojnë larg për shkak të padobishmërisë së saj. S’është një gjë që hë për hë kuptohet. S’kemi mundësi ta themi atë që e thotë poezia, e as që mund ta sqarojmë atë. Kjo është pengesë e përzierjes së saj me shumicën e njerëzve. Madje edhe nëse përzihet, kjo ndodh shumë shkurt, s’kalon përtej një shkëndije prej vetëtime. Shumica e njerëzve atë e vënë në vendin e vjetër: në hiç. Poezia në këtë drejtim s’mund të bëjë asgjë. S’mund të bëjë sepse asnjë poezi në botë s’është shkruar për lexuesin. Ngado që të shikojmë vijmë në këtë përfundim: poezia është ylber, dobia prej poezisë është e barabartë me dobinë e mrekullisë së quajtur ylberi.
Poeti s’ka shpresë.