Monday, February 20, 2017

Zhvendosja e fjalëzave prej shtratit të vet

Kur fjalëzat zhvendosen prej shtratit të vet dhe nisen në  udhëtimin  botëror, shndërrohen në kuaj garues, “e plaçkisin” çdo vend e çdo send. Kështu e kuptojnë të vërtetën se janë  në këtë botë. S’ka dyshim  se kjo, për to është një gjë e madhe. Shtiren si pronare të  çdo gjëje që e  shohin, që e  prekin  dhe që e nuhasin. Në  këtë mënyrë shumë gjëra i kthehen identitetit të vet, i kthehen vetvetes. Fjalëzat në fund të këtij udhëtimi rriten dhe pasurohen.   Kësaj aventure të fjalëzave vetëm  poetët i qasen me  mëdyshje. Kjo mund të shpjegohet vetëm  me  pasionin e tyre për  gjendjen e parë  të fjalëzave.  Për poetët gjendja e parë e fjalëzave është pothuajse çdo gjë. Sepse ata kanë ardhur në përfundim  se poezia e ka çerdhen në to, se autenticiteti i vërtetë aty  gjendet. Fjalëzat janë gërshetuar me botën, kanë fituar kuptime e ndjeshmëri të reja, por  ndërkohë janë dëmtuar, janë harxhuar; me kalimin e kohës është ndryshuar identiteti i tyre, janë gurëcuar. Tashmë nuk  janë  të  tilla siç kanë ardhur për herë të parë  në këtë botë: janë  veshur, janë vjetruar  së mbajturi, kanë hyrë e kanë dalë në  trajta të ndryshme. Gjeneza e tyre është tharë, në fakt e kanë humbur edhe vërtetësinë e vet.  Si përfundim,  rrënjët e tyre  janë përhitur. Kanë dalë jashtë kornizave të gjuhës së poezisë. Ky  qëndrim  radikal i poetëve është faktor që gjuhën e poezisë e ndan prej llojeve të tjera  të shkrimit. Pasuria e vërtetë e fjalëzave qëndron në  virgjërinë  dhe  papjekurinë  e  tyre. Fjalëzat  s’mund ta  ruajnë askund tjetër autenticitetin e vet jashtë gjuhës së poezisë.  Ç’është e vërteta s’mund t’i kuptojnë dallimet (e dallimet  janë çdo gjë!),  s’mund ta jetojnë dallueshmërinë.