Shqipërisë nuk i uroj 28-29 nëntorin,nuk e bëj jo... Është e kotë sepse Shqipëria nuk ka nevojë për këtë urim.
Shqipëria ka nevojë për urime të sinqerta, të përkushtuara,të shoqëruara me vepra të mëdha dhe të vogla,nga të gjithë, të mëdhenj e të vegjël,burra e gra,qytetare të thjeshtë dhe ata me peshë,nga politika dhe nga populli.
Prandaj,unë uroj të kemi një vend ku të gjithë ne që jetojmë në këtë vend por edhe ata jashtë vendit,një vend ku të ndihemi vërtetë krenarë me jetën që bëjmë,me gjurmët që do lëmë pas dhe me historinë që do rishkruhet me këto gjurmë.
Unë uroj që të kemi një shtet i cili është vërtetë i pavarur nga ndikimi i pushtuesve të huaj,qoftë me armë,qoftë me politikë,qoftë me ekonomi.
Unë uroj që të kemi udhëheqës të cilët janë një trup i vetëm me popullin, të cilët nuk kanë frikë se mos bien nga karrika,të cilët vendosen në pushtet nga vetë shqiptarët me meritë,të cilët me udhëheqjen e tyre kanë për qëllim të krijojnë një vend ku asnjë nuk dëshiron të largohet jashtë,ku çdo i huaj do dëshironte të jetonte në vendin tonë.
Unë uroj që të kemi një popull të edukuar me morale të larta, popull i cili nuk mendon të krenohet me histori të lashta,por të krenohet duke shkruar historinë e sotme për t'u përmendur nga ata që do të vinë më vonë.
Unë uroj që të kemi një ushtri të fuqishme për të mbrojtur vlerat e kombit shqiptar,një ushtri e cila është krenaria e çdo nëne që i dërgon bijtë e saj në mbrojtje të vendit.
Unë uroj që të kemi ndërgjegje kombëtare dhe kolektive për jetën e secilit individ i cili ka nevojë për vëmendje.
Unë uroj që të kemi familje të drejtuar nga parimet themelore të etikës njerëzore.
Unë uroj që të kemi një të ardhme të formuar nga arsimi i merituar,nga mjekësi të avancuar,nga ekonomi të bazuar në paranë e pastër,nga burime natyrore të pastra.
Unë uroj të kemi individë të cilët bashkohen duke qenë të ndryshëm në bindje fetare dhe politike për të ruajtur harmoninë e jetës.
Mbi të gjitha,unë uroj që të kemi një shtet i cili është krenar me çdo shqiptar ,e jo thjesht të krenohemi që jemi shqiptarë!
A dëshiron të jesh krenar që je shqiptar?
Bëje Nënën Shqipëri të jetë krenare me ty!