Tuesday, June 22, 2021

Emocionet

Emocionet janë të ndryshme kur lidhemi me dikë. Por dhe arsyet e ndarjes nga tjetri janë përsëri emocionet. Disa njerëz nuk arrijnë ti kenë të qarta këto emocione në fillim të lidhjes, prandaj ndodh dhe ndarja. Disa nuk i kanë të qarta dhe kur ndahen, prandaj dhe rikthehen përsëri pas një farë kohe reflektimi.

Faza e parë e raportit me dikë fillon me pëlqimin. Kur na pëlqen dikush ne duam që të kemi shoqëri me të por jo me çdo kusht duhet të kemi shoqëri me çdo njeri që pëlqejmë. Pëlqimi ka arsye të ndryshme; kemi pëlqim, admirim apo simpati për tjetrin sepse është intelektual, apo ka shije të njëjta me ne, apo bindje të njëjta për diçka. Kur arsyeja e pëlqimeve largohet, atëherë dëmtohet dhe ky raport.

Faza e dytë është fiksimi, epshi, pasioni, dëshira për të zotëruar dikë fizikisht. Shpesh ky lloj emocioni ngatërrohet dashurinë, dhe është një nga arsyet kryesore për lidhjet e dëmtuara. Sepse sapo zotërohet apo sapo plotësohet dëshira epshore ndaj tjetrit, me kalimin e kohës ky pasion shuhet. Ky lloj emocioni është faktori themelor për sëmundjet emocionle të cilat e shtyjnë dikë në vrasje apo vetëvrasje. Shërimi nga kjo sëmundje është terapia e personalitetit.

Faza e tretë është dashuria e vërtetë. Kur njeriu dashuron në të vërtetë, ai apo ajo arsyeton me vullnetin e mirë për të parë tjetrin sa më mirë, duke jetuar bërë gjithçka për atë që do dhe duke pranuar gjithçka nga tjetri. Dashuria e vërtetë nuk njeh llogaritje, përfitime apo humbje. Nuk ndjen neveri apo lodhje, nuk ndjen që janë dy njerëz dhe dy jetë por një jetë me dy shpirtra. Dashuria është prehje dhe siguri. Është motori që nxit dhe frenon gjithçka. Në dashuri nuk mendon vetëm për veten por për të dy sepse lumturia e njërit shtohet duke u bërë shkak për lumturinë e tjetrit. Në dashuri nuk ka ndarje apo humbje, ka pushim dhe ribashkim.
Dashuria nuk është sëmundje por ilaç. Dashuria nuk është etje por ujë.
Dashuria nuk është uri por ushqim.
Dashuria nuk është dhimbje por qetësi.
Dashuria nuk bën dallime por shkrihet.
Dashuria nuk është njerëzore por hyjnore.
Dashuria nuk është takim por plotësim.
Dashuria nuk është kalimtare por e përhershme.
Dashuria nuk shitet apo të blihet por dhurohet.
Dashuria nuk matet dhe llogaritet por shijohet.
Dashuria nuk është diçka por qëllim.
Dashuria nuk njeh por njihet.

Këto emocione kanë nevojë të qartësohen duke bërë një testim emocional për të kuptuar raportin që keni me dikë apo raportin që është dëmtuar.
Këto emocione shpesh nuk kuptohen lehtë sepse ato maskohen sipas rrethanave dhe objektivave të njeriut. Prandaj duhet të komunikoni me zemër të hapur me dikë tek i cili keni besim.

Sa më të qarta do i keni emocionet, aq më e shëndetshme do të jetë lidhja juaj.

#ndalohetkopjimi
#lejohetshpërndarja