Lista e miqve
Lista ime e miqve në fb është e shumëllojshme, me ngjyra të ndryshme politike, fetare dhe filozofike. Me maska ballosh dhe me kameleonë që ndryshojnë nga çasti në çast duke ndryshuar ngjyrën sipas ambientit dhe situatës, sipas interesit dhe erës nga fryn.
Kam miq të cilët më njohin dhe i njoh mirë të cilët rrinë në heshtje duke vëzhguar ndonjë shkarje të gjuhës, kam dhe nga ata që lexojnë me endje por që komentojnë rrallë. Kam dhe nga ata që janë larguar sepse u verboheshin sytë si xixëllonja me gjarpërin. Kam dhe nga ata që më kanë bërë bllok sepse nuk kam pasuar bindjet e tyre politike. Kam dhe nga ata që kanë zënë myk diku në një qoshe dhe presin të bojatisen me vëmendje servilësh. Kam dhe nga ata që janë kalbur nga zilia dhe smira dhe presin që të kalbin dhe mollët e tjera që të shërojnë mllefin që kanë. Këta janë të njohurit!
Kam nga ata që më njohin dhe i njoh virtualisht. Disa më njohin e i njoh nga shkrimet. Disa më kanë idealizuar dhe i kam idealizuar duke krijuar një imazh për njëri tjetrin nga përvoja virtuale. Disa prej tyre më kanë mrekulluar e disa më kanë zhgënjyer nga pritshmëritë që kisha, por dhe unë disa i kam zhgënjyer e disa i kam mrekulluar sepse njeriu njihet në dallgët e detit, jo në teoritë për detin. Disa më kanë larguar e kanë bërë bllok e disa i kam larguar. Ata më kanë larguar sepse nuk isha si ata, ndërsa unë sepse fjalori i tyre i vërtetë ishte tepër i pistë.
Kam nga ata që as nuk i njoh dhe as më njohin. Disa më respektojnë sepse lexojnë diçka që u pëlqen, disa nuk më respektojnë sepse lexojnë diçka që nuk u pëlqen.
Disa më paragjykojnë nga ato që lexojnë; ateistë që më urrejnë sepse lexojnë për Zotin, fetarë që më urrejnë sepse lexojnë për ateizmin, demokratë që më urrejnë kur lexojnë për komunizmin dhe komunistë që lexojnë për demokratë. Disa më urrejnë ngaqë jam kundërshtar i bindjeve të tyre e disa më duan sepse kemi të njëjtat bindje. Disa më urrejnë ngaqë në listën e miqve kam muslimanë, disa muslimanë më urrejnë ngaqë kam në listën e miqve të krishterë, laikë dhe besime të ndryshme. Disa më lexojnë sepse më duan, disa më duan sepse më lexojnë. Disa më lexonin sepse më donin e disa nuk më lexojnë sepse nuk i dua.
Nga e gjithë kjo listë me shije të ndryshme, kam kuptuar se të gjithë më duan dhe më urrejnë, më lexojnë dhe nuk më lexojnë duke arsyetuar me kushtet e tyre për dëshirat e tyre.
Asnjë nuk ka respektuar dhe menduar ndonjëherë për dëshirën time pse ndodhem këtu me ju duke shkruar pa asnjë interes kapital. Kjo do të thotë se jemi qënie kapitalistësh të cilët mendojnë në mënyrën : nëse nuk fitoj gjë, atëherë nuk më duhesh, dhe nëse nuk je si unë, atëherë je armiku im.