Tuesday, June 8, 2021

Të dish të duash apo të duash ashtu siç di?

Të dish të duash apo të duash ashtu siç di? 

Shpesh dashuria përjeton krizë nga shkaku se nuk jemi të kënaqur me atë që na jepet nga burimi i dashurisë - njeriu me të cilin kemi krijuar raport - dhe kjo vjen si pasojë e një egoizmi të paqartë. 
Njerëzit krijojnë raport emocional kur ndjehen rehat me njëri tjetrin, kur ndjejnë siguri dhe mirësi nga ky raport. 
Mirëpo gjatë rrugës gjërat mes të dyve qartësohen më shumë, duke kuptuar se nuk kemi ditur se çfarë jemi duke kërkuar nga ky raport, prandaj vjen ai çasti ku përjetohet kriza emocionale dhe sa më shumë që vazhdon këtë raport aq më shumë ndihesh konfuz me veten.
Nga analiza psikologjike dhe nga raporti emocional kupton se nga njeriu i mirë, njeriu i sinqertë, njeriu i cili përpiqet të jetë sa më i drejtë në këtë raport, njeriu me të cilin ke lidhur këtë raport, sheh se nuk plotëson një nga kriteret e tua të cilat burojnë nga egoizmi i fshehur, një egoizëm i trashëguar emocional që nga fëmijëria. Kriteri i cili mungon është që të dijë të të dojë ashtu si dëshiron. Në terma të tjerë psikologjik, ky lloj kriteri përkthehet si një kërkesë absolute për vëmendje, përkushtim dhe sakrificë deri në disfatën e vetvetes, deri në humbjen e identitetit tënd personal, deri në skllavëri psikologjike ndaj tjetrit që nuk është i kënaqur nga ky raport, nga fakti se ti je vetvetja, që je njeri i sinqertë, që je njeri i mirë, me moral të lartë dhe njeri i drejtë.

Kriteri psikologjik i kërkuar në këtë raport është " mëso të më duash ashtu si dua unë, jo ashtu si di ti. Më jep gjithë përkushtimin tënd deri në vetëmohim të shpirtit tënd." 

Këta njerëz duan atë lloj ushqimi emocional që ka krijuar boshllëkun e trashëguar. Këta lloj njerëzit kanë emocione toksike, emocione të cilat çimentojnë raportin përfundimtar duke vrarë me helmin e tyre gjithçka që nuk është në shërbim të tyre. 

Pra, për këta lloj njerëzish, më e rëndësishme është të dish të duash sesa të jesh i sinqertë në dashuri, i mirë në vepra dhe i drejtë në jetë.
Përballë tyre ke për të qenë gjithnjë i papërvojë në plotësimin emocional të tyre.

Prandaj, nuk mjafton ti duash këta njerëz duhet të dish ti duash nëse dëshiron të kalosh një jetë të qetë.

#ndalohetkopjimi 
#lejohetshpërndarja