Për çfarë je më shumë i interesuar,për formën apo për thelbin?
A mendon shpesh për këto të dyja? Nëse po,a e ke të vështirë të dallosh menjëherë formën nga thelbi? Pa nënvlerësuar as njërën dhe as tjetrën,shpesh disa njerëz ndodhen nën presionin për të pranuar formën e gjërave,dhe nën ndikimin e saj, organizojnë jetën e tyre në çdo aspekt,qoftë nga më intimet e deri tek më socialet.
Edhe pse e dimë që arsimimi ka rënë në nivel qesharak,ne nuk na shqetëson aspak fakti sesi do edukohet fëmija,sepse ajo që na kërkon shoqëria është faktori "arsimim" formal.
Se çfarë edukimi ka marrë,kjo nuk duhet të jetë problem sepse shoqëria nuk kërkon edukimin por diplomën. Pak rëndësi ka nëse je imoral,mjafton të jesh i "gdhendur" sipas kërkesave të tyre.
Suksesi pra nuk matet me faktorët edukativë por me faktorët ekonomikë.
Diçka tjetër që është formale e cila pak veta janë të shqetësuar për thelbin është edhe ajo se çfarë ofron "tregu virtual".
Tregu virtual po shet mallra të ndryshme të cilat nuk i kontrollon askush,mallra të ambalazhuara bukur por të prishura. E kam fjalën për "mallin informativ" që qarkullon nëpër portale të ndryshme të cilat po ushqejnë publikun me mashtrime,njohuri të padobishme, informacione të shtrëmbërura,ide revoltuese, mentalitete diskrimininuese, thashetheme që ngjallin urrejtje,debate fetare,luftë virtuale e cila po vret inteligjencën emocionale dhe po shthur pa dallim moshe çdo njeri që është verbëruar në këtë jetë virtuale.
Ajo çka më shqetëson më shumë është fakti se,pasi e mësojnë këtë të vërtetë, përsëri nuk e frenojnë veten e tyre nga kjo lloj "ushqimi virtual". Përsëri po shkojnë me kënaqësi drejt kërmës virtuale si ai qëni që shkon pas kërmës së ngordhur.
Sepse duan që të ndjekin kërkesat e shoqërisë, kërkesa formale të imponuara edhe pse e dinë thelbin e çështjes. Frika se mos nuk janë si shumica i detyron të mos jenë të veçantë.
Duke ushqyer idenë e shumicës,ne kemi vrarë dëshirën për të qenë i veçantë.
Duke vlerësuar atë që vlerëson shumica,ne i kemi frikësuar ata që duan të jenë dikush.
Frika se mos duken qesharakë nga shumica,po vret të ardhmen e gjeniut.
Dhe kështu, formaliteti bëhet mënyrë jetese,ndërsa thelbi thjesht një ide e frikshme!!!