Sunday, October 14, 2018

Nje shkrim paksa i gjate,por me nje permbajtje shume te thelle,plot ide dhe nxites per te medituar. Pres nga ju komente te argumentuara. Lexim te kendshem

Thonë, pra, se  nga vetë natyra e saj, të kryesh një padrejtësi është nje gjë e mire, por ta pësosh në kurrizin tënd, është një e keqe, mbasi të durosh një fyerje do të thotë të kesh pësuar një të keqe më të madhe sesa e mira që ndiejmë kur këtë të keqe e kryejmë ne; në këtë mënyrë, herë duke bërë e herë duke duruar të tilla fyerje dhe duke e pasë provuar kështu shijen e të dyjave, atyre që nuk ishin në gjendje t'u shpëtonin marrjeve nëpër këmbë apo që dhe të kryenin sende të tilla, iu duk e udhës që të bënin një marrëveshje midis tyre që as të bënin dhe as të pësonin padrejtësira. Pikërisht për këtë, filluan të Iindnin ligjet dhe nisi të quhej legjitim dhe i drejtë sundimi i ligjit. Kjo është gjeneza dhe thelbi i Drejtësisë, e cila qëndron në mes të më të mirit, kur ky nuk paguan haraçin e paudhësive që kryen, dhe është në mes të më të keqit, nëse dikush, të cilit i bien në qafë dhe e marrin nëpër këmbë, nuk ka forcë që të ngrihet dhe të mbrohet siç duhet. Dhe i drejti që gjendet midis këtyre dy rasteve, çrnohet nga të tjer  jo se është njeri i mirë, por vetëm nga që i mungon forca për të kryer të keqen; mbasi, nëse do të ishte i aftë ta kryente dhe të ishte pra me të vërtetë një njeri, nuk do të binte kurrë dakord me një marrëveshje pas së cilës as duhej të kryente dhe as duhej ta pësonte në kurriz të keqen, mbasi kështu kishte për të qenë një i çmendur. Kjo është pra, natyra e Drejtësisë, dhe të tillë janë dhe shkaqet e lindjes së saj, sipas asaj që thuhet në popull. Sesi pastaj ata që respektojnë Drejtësinë, dhe e respektojnë jo se duan por ngaqë nuk janë të zotë të kryejnë padrejtësira, këtë do të kemi mundësi ta shikojmë kryesisht nëse do të bëjmë një hipotezë duke i dhënë, si të drejtit ashtu dhe të padrejtit, mundësi që të veprojë ashtu si i pëlqen më mire dhe pas kësaj të ndjekim veprimet e tyre për të parë se deri ku do t'i çojë pasioni që të dy. Do të kemi kështu mundësinë të zëmë në befasi të drejtin tek ndjek rrugën e të padrejtit me qëllim që të arrijë atë epërsi, të cilën çdo natyrë njerëzore e quan një të mirë, por që detyrohet nga ligji dhe nga forca të respektojë barazinë. Liria e veprimit, ashtu siç po e supozojmë ne, mund t'iu jepet këtyre në formën e asaj fuqie që thuhet se kishte Gjigjesi, paraardhësi i Hrisit, i Lidianit.
Sipas traditës, Gjigjesi ishte një bari në shërbim të mbretit të Lidisë, rastisi që ra një stuhi e vërtetë shiu, ra dhe një tërmet dhe toka u ça pikërisht në vendin ku ai po kulloste kopenë. Ai u pataks i tëri kur pa një gjë të tillë, zbriti në tokën e çarë dhe, përveç mrekullive të tjera që zbuloi atje, sipas sa tregojnë përrallëtarët, ai pa edhe një kalë të bronxtë e bosh nga brenda, me disa portëza të vogëla, nëpërmjet të cilave, duke u përkulur, ai vuri re se brenda ishte një kufomë, me një madhësi, së paku kështu iu duk asaj, më të madhe nga ajo e një njeriu të zakonshëm. I vdekuri nuk kishte asgjë me vete, me përjashtim të një unaze prej ari në njërën dorë dhe të cilën Gjigjesi e mori dhe u largua. Duke qenë pastaj zakoni që barinjt mblidheshin një herë në muaj për t'i dërguar mbretit një paraqitje të gjendjes së kopeve, shkoi edhe ai duke marrë me vete unazën. U ul pra bashkë me të tjerët dhe krejt rastësisht e ktheu folenë e gurit të çmuar të unazës nga vetja në pëllëmbën e dorës. Dhe ja atëhere, u bë i padukshëm për sytë e të pranishmëve; dhe ata flisnin për atë sikur ai të mos ishte fare atje po të kishte ikur. Ai habitet dhe, duke e kthyer unazën, nga ana tjetër, kthehet e bëhet sërish i dukshëm. Duke vënë re këtë gjë, provon nëse me të vërtetë unaza kishte një veti të tillë, dhe kësisoj zbulon se sa herë që unaza kthehet me gur nga brenda, ai bëhet i padukshëm, kurse kur kthehet nga jashtë, ai vjen e bëhet i dukshëm. Kur u sigurua për një gjë të tillë, ai bëri çmos që të bënte pjesë në grupin e dërgatës që do të shkonte te mbreti. Kur vajti atje, pasi i torlloi mendjen gruas së tij dhe e bëri për vete, thuri me atë intriga të ndryshme kundër mbretit, e vrau dhe kësisoj fitoi kuroren e mbretërisë.

Tani, sikur të ishin dy unaza të tilla dhe njërën ta vinte në gisht i drejti unë besoj se nuk do të kishte njeri qoftë dhe qelibar i kulluar dhe tjetrën i keqi, nga drejtësia, që do t'i mbetej besnik Drejtësisë dhe që do të kishte forcën të hiqte dorë nga pasuria e të tjerëve dhe të mos e përvetësonte, meqë kishte mundësi të mirrte pa u dënuar çtë donte nga tregu, të futej në shtëpitë e të tjerëve dhe të binte të flinte me kë të donte, të vriste, t'u hiqte prangat atyre që do të dëshironte, duke qenë se me mënyrën që kishte fituar do të ishte mes njerëzve si një djall. Dhe duke vepruar kështu nuk kishte për të bërë aspak gje ndryshe nga tjetri, mbasi që të dy do të shkonin drejt një qëllimi. Kjo, pra, do të ishte prova e madhe: askush nuk është i drejtë nga vetja e tij, por i shtyrë nga një nevojë e fortë, mbasi të qenët i drejtë nuk është një e mirë në vetvete, aq e fortë është kjo sa që një njeri që e mban veten të aftë për të bërë një të keqe, e bën atë. Në fakt, pra, çdo njeri beson se më shumë sesa Drejtësia, më e leverdisshme për interesin e njeriut është padrejtësia, dhe duke e quajtur të vërtetë këtë, ai mbron me fjalë pikërisht këtë tezë; mbasi, nëse një njeri që e ka fituar tashmë aftësinë për të bërë të keqen pa u ndëshkuar, nuk do të pranonte të përvetësonte pasurinë e tjetrit, do të mbahej nga të tjerët kur ta mësonin këtë gjë, si njeriu më mjeran e më i pamend në botë; megjithatë, midis tyre do ta mburrnin haptazi dhe do të gënjeheshin reciprokisht nga frika se mos u takonte atyre që të pësonin ndonjë padrejtësi. Kështu qëndrojnë punët. Nga ana tjetër, gjykimin tonë për jetën e njerëzve për të cilët po diskutoj, do të ishim të aftë ta formulonim me një kriter të drejtë, vetëm nëse do të vinim përballë njëri-tjetrit njeriun më të drejtë me njeriun më të keq; ndryshe nuk do t'ia arrijmë dot. Cili është, pra, ndryshimi midis këtyre të dyve? Ky: të mos i heqim asgjë padrejtësisë së të keqit dhe as drejtësisë së të drejtit, por le t'i quajmë si njerin ashtu dhe tjetrin të përsosur në mënyrën e tyre të të jetuarit. Para së gjithash, pra, duhet thënë se i keqi vepron si mjeshtrit me të mirë. Si, për shembull, një marinar  apo mjek i përsosur e di mirë se ç'është e mundur apo e pamudur në mjeshtrinë e tij dhe për këtë i vihet punës për të kryer të mundshmen dhe lë mënjanë të pamundshmen; dhe, nëse nganjëherë bën ndonjë gabim, di ta qortojë mjaft mirë; po kështu edhe i padrejti, . duke kryer me shkathtësi veprimet e tij të këqia, di t'i fshehë fare mirë padrejtesite e dëshiron të arrijë kulmin e padrejtësisë. Dhe nëse e lë veten që ta kapin të tjerët, atëhere quhet i paaftë; mbasi shkalla më e lartë e padrejtësisëë eshtë kur dukesh i drejtë pa qenë i tillë. Në këtë mënyrë pra, i duhet atribuar keqbërësit më të përsosur përsosmëria e padrejtësisë dhe të mos i hiqet mundësia që, duke kryer padrejtësira të mëdha, të përgatitë lavdinë më të madhe për veten në fushën e Drejtësisë dhe kështu, edhe nëse mund të bjerë në disa gabime, të jetë i aftë për t'i qortuar, duke qenë i aftë në të folur e në të mbushur mendjen e të tjerëve; nëse rastis që të denoncohet ndonjë nga veprimet e tij të këqia, të përdorë dhunë aq sa t'i nevojitet duke e ndier veten të fortë në guximin, në pushtetin, dhe në bashkëpunimin e miqve të tij dhe të pasurisë së tij. Pasi ta kemi vënë pra në të tilla kushte, le ta vëmë tani në arsyetimin tonë, përballë të drejtit, njeri ky i thjeshtë dhe bujar,i cili  është një njeri që nuk dëshiron të duket, por të jetë i mirë. Dhe kjo pamje i duhet hequr. Mbasi nëse ka pamjen e një të drejti, do të nderohet dhe do të ketë dhurata nga të tjerët, pikërisht nga që është i tillë, kurse do të ishte i dyshimtë nëse do të ishte i tillë o për shkak të një drejtësie të vërtetë o për shkak të dhuratave dhe nderimeve që mund t'i bëhen. Për këtë arsye ai duhet zhveshur nga të gjitha me përjashtim të drejtësisë së tij dhe të vihet në kushte krejtësisht të kundërta me atë të njeriut që përshkruam pak më parë; dhe, edhe pa kryer ndonjë akt të keq, t'i ketë dalë emri si një njeri jashtëzakonisht i keq, në mënyrë që të vlerësohet në Drejtësinë e tij, dhe të mos flashket shpirtërisht nga nami i keq dhe nga pasojat që mund të vinë prej kësaj, dhe të mbetet i pandryshuar deri në vdekje, duke patur për tërë jetën pamjen e jashtme të një keqbërësi, por duke qenë në të vërtetë një njeri i mirë; në këtë mënyrë, kur të dy të arrijnë në kufirin e fundit, njëri të Drejtësisë dhe tjetri të padrejtësisë, do të mund të gjykohet se cili prej tyre ka qenë më i lumtur.