Monday, November 23, 2020

Kërkuesi i dijes

Kërkimi i dijes është njohur që në lashtësi me emra të ndryshëm, në vende të ndryshme dhe nga njerëz të ndryshëm. 
Emërtimi është përcaktuar sipas qëllimit që kanë patur kërkuesit e dijes.
Grekët e quajtën filozofi sepse qëllimi i tyre ka qenë hetimi i dyshimeve pasi baza e fillimit të dijes ka qenë habia dhe dyshimet ! 
Pra, nëpërmjet filozofisë kanë kërkuar qartësi të gjërave dhe harmoni në raport me gjërat!
Në vende të tjera të botës ka patur emërtime të tjera; qëllimi ka qenë urtësia, përsosmëria, meditimi, mjekimi, bashkëjetesa, udhëheqja...etj. Baza e tyre ka qenë paqja dhe dobia mes njerëzve ! 
Pra, të gjithë kanë qenë kërkues të dijes për atë që kishin interes! 
Kështu që në një farë mënyre, askush nuk ka shpëtuar nga dëshira për të ditur më shumë nëpërmjet mendimit të tij, dhe si rrjedhojë të gjithë janë prekur nga filozofia, qoftë pak apo shumë, me vetëdije apo pa vetëdije! 
Ajo çfarë bën dallimin është qëllimi i kërkuesit të dijes !

Gjatë rrugës së kërkimit të dijes, sigurisht që ka patur dhe do të ketë dije të saktë dhe të devijuar. Dije të dobishme dhe të padobishme. Dijetarë dhe pseudo dijetarë ! 

Pa këtë rrugëtim të gjatë, në kthesat e shumta të dijes, dhe pa këto përpjekje të tyre, qofshin të sakta apo të gabuara, nuk do të kishim në ditët tona produktivitetit masiv të librave anë e mbanë botës. 
Kjo shumëllojshmëri kulturash, qytetërimesh, besimesh, bindjesh dhe idesh ka sjellë atë që sot ne e mendojmë si dije të saktë dhe të devijuar, atë dije që kemi mësuar dhe mbi të cilën ne mendojmë dhe jetojmë ! 

Personalisht e ndaj dijen në të dobishme dhe të padobishme. Ndërsa njerëzit i ndaj në interesantë dhe jo interesantë në atë që dinë.
Por nëse dikush nuk është si unë, kjo nuk do të thotë se ai është injorant apo i padobishëm. E nëse nuk jam unë si ai, kjo nuk do të thotë se ai është i dobishëm dhe unë i padobishëm. 

Dallimet mes nesh në botëkuptimin e njohurive, ideve, shijeve dhe zgjedhjeve na bëjnë të jemi unikë, të ndryshëm, dhe interesantë për faktin që jemi të rëndësishëm si njerëz !

Pra, nuk kam pse ta ofendoj dikë që nuk është si unë por do e respektoj për sa kohë që është njerëzor dhe më respekton për këtë arsye ! 

Ajo çfarë dua të them është se nuk kam pse të shaj apo të sulmoj dikë që zgjedh të jetë i krishterë, musliman, hebre, ateist, filozof, hindus...etj. 

Lufta ime është me veten time dhe më pas me të keqen që dëmton njerëzimin, ngado që të burojë kjo e keqe !