Sunday, November 29, 2020

Premtimet

Shumë njerëz më kanë premtuar por pak janë që i kanë qëndruar premtimit.
Ajo që më shqetëson nuk është mos mbajta e premtimit dhe as zhgënjimi prej tyre, por besimi që thyhet, besim që nuk ngjitet më për herës tjetër. Nëse nuk e beson më tjetrin për atë që të thotë është më keq sesa premtimi i thyer! 
Zemrat tona janë të thyera nga zhgënjime të tilla, të mbushura me dyshime dhe pasiguri për të tjerët dhe kjo bën që askujt të mos i besojmë në të ardhmen. 
Frika luan me besimin dhe një shoqëri pa këtë besim paralizon gjymtyrët e shoqërisë.

Ka njerëz që nuk e kuptojnë sa e rëndë është të premtosh, prandaj dhe premtojnë pa menduar për pasojat që mund të rrjedhin më vonë. 
Ka dhe njerëz që premtojnë qëllimisht për të thyer zemrat e të tjerëve.
Ka dhe nga ata që premtuan në një ditë të mirë por nuk mundën dot ta mbanin premtimin sepse ditët në vazhdim sollën vështirësi të tilla të cilat nuk e përmbushin dot premtimin.
Ka dhe nga ata që nuk premtojnë asgjë por në mendje e kanë vendosur të bëjnë atë që mund të bënin nëse do premtonin.