Thursday, December 29, 2016

Pasuria

Më shumë se për çdo gjë, njerëzit çirren për paranë. Është kjo që i lodh gjykatat, që bën të përleshen mes tyre baballarë e fëmijë, që përgatit helmet, që i shpall luftë jo vetëm trupave ushtarake, por edhe vrasësve me pagesë; paraja ka ngjyrën e gjakut: për të grinden e bërtasin gjithë natën burri me gruan, për të turma rrethon podiumin e gjykatësve dhe deputetëve, për të mbretërit plaçkitin, vrasin e rrafshojnë qytete të ndërtuara me punën e gjatë të shekujve, me qëllim që të kërkojnë ar dhe argjend në hirin e tyre.Hidhi, pra, një sy këtyre thesareve që flenë në një qoshe: ja kush është shkaku i britmave, i syve të zgurdulluar, i gumëzhimave që mbushin sallat, ku qëndrojnë gjykatës të ardhur nga fundi i botës, për të vendosur se cilës palë i takon lakmia më e ligjshme.Një plak të lashtë, që arrin në grahmat e fundit pa pasur asnjë trashëgimtar,nuk e mbyt tërbimi për nië pirg me ar,por për një grusht monedhash ose për një pare të vetme, që një skllav i ka vjedhur! Një fajdexhi i gjymtë e me këmbë të shtrembëruara nga cerma që nuk mund t’i përdorë duart as për të numëruar paranë, edhe një shumë të vogël e kërkon me britma të mëdha e me padi në gjykatë, edhe kur sëmundja e tij është në kulm! Në qoftë se do të më tregoje arin e nxjerrë nga të gjitha minierat e botës, që ne nuk pushojmë së gërmuari, në qoftë se do te më hidhje para këmbëve të gjitha thesaret e fshehura nga koprracia kjo i kthen tokës atë që do të ishte mirë të mos ia kishte marrë -, unë nuk do ta kisha gjykuar gjithë këtë grumbull, që është i aftë ta bëjë njeriun e urtë të stepet. Duhet të shkulemi së qeshuri me atë që na bën të qajmë kaq shumë!