Zemërimi është dobësi
Zemërimi nuk vjen nga vlerësimi i lartë i vetvetes, as nuk është bujar, përkundrazi: ai është i vogel,i ngushtë, sepse gjithkush që beson se eshte i perbuzur, e vë veten më poshte se tjetri. Kurse nje zemer e madhe, që di ta çmojë veten, nuk hakmerret kundër fyerjes, sepse nuk e ndien atë. Ashtu si heshtat që kërcejnë mbi një sipërfaqe të fortë, ashtu si dhembja që ndiejmë, kur godasim një trup të fortë, ashtu dhe fyerja nuk ndihet kurrë nga një njeri shpirtmadh, sepse ky është më i fortë se ajo. Por, sa e bukur është të mos të të përshkojë asnjë heshtë dhe t’i zmbrapsësh të gjitha fyerjet! Të hakmerresh do të thotë të pranosh që je plagosur; por, një shpirt i madh nuk plagoset nga fyerja. Nëse njeriu që të fyen është më i dobët se ti, ruaje atë; nëse ai është më i fuqishëm se ti, ruaj vetveten.
Prova më e mirë e madhështisë është që të mos të të turbullojë asnjë ngjarje e papritur. Pjesa më e lartë dhe më e rregullt e gjithësisë, ajo që u afrohet yjeve, nuk mbushet me re të dendura, nuk shpërthen në stuhi, nuk bëhet vorbull ciklonesh ; ajo është e përjashtuar edhe nga shqetësimet më të vogla; kurse poshtë saj gjëmojnë bubullimat! Kështu dhe një njeri i lartë, gjithmonë i qetë e shumë larg bubullimave, i mbyt nga përbrenda të gjitha llojet e zemërimit; ai është i arsyeshëm, i nderuar e i harmonishëm. Nuk do të gjesh asgjë të ngjashme me të te një njeri i zemëruar .Cdo njeri përpara se të derdhet në furinë e zemërimit e në mëri, ka përzënë fillimisht cdo lloj turpi; përpara se t’i lëshohet të ngjashmit të vet nën veprimin turbullues të gjakimit, ka hequr dorë më parë, nga çdo lloj fisnikërie. Gjatë vrullit të zemërimit, askujt nuk i është kujtuar numri dhe radha e detyrave. Askush nuk e ka përmbajtur gjuhën në zemërim e sipër; askush nuk ka mundur ta bëjë zap një pjesë të trupit të tij; askush nuk ka arritur ta drejtojë hovin e zemërimit, pasi ky është lëshuar.
Nje mjekim do ta gjejmë në thënien shëruese të Demokritit, i cili na premton qetësinë, nëse nuk do të marrim përsipër shumë punë, shoqërore ose private, që i tejkalojnë fuqitë dhe aftësitë tona. Kushdo që merret me një mijë punë, nuk do ta ketë gëzimin që të kalojë qoftë edhe një ditë të vetme, ku asgjë ose askush nuk do t’i japë rast që të nxehet.Kur kalojmë nëpër një lagje me shumë lëvizje, është e pamundur që të mos përplasemi me njerëz pa fund, që të mos ndeshemi me dikë, të mos na ndalojë dikush më tutje ose të mos na përbaltin gjetiu. Gjithashtu, në vorbullën e kësaj jete, ia behin një numëri madh pengesash dhe njerëzish që ankohen ; njëri na zhgënjen shpresat, një tjetër na vonon përgjigjet, një tjetër edhe i kthen këto
në dobi të vet; shestimet tona përfundojnë me dështime.
Fati nuk i ka buzëqeshur kurrë dhe askujt deri në atë pikë, sa t’ia kurorëzojë gjithmonë me arritje të gjitha përpjekjet e shumëfishta. Prej këtej del që njeriu, ndërmarrjeve të të cilit u është kundërvënë fati, nuk i duron dot më të ngjashmit e vet, as sendet, dhe një fare asgjë mjafton që t’i ngjallë zemërimin kundër tyre, kundër çështjeve, vendeve, kundër fatit, kundër atij vetë.Gjithashtu, për t’i siguruar qetësinë njeriut, nuk duhet as ta lëkundim, as ta shkundim atë, duke i caktuar shumë shpesh detyra tepër të rënda. Bukur lehtë mund të vendosim mbi shpatulla pesha jo të rënda dhe t’i zhvendosim ato pa na shkarë nga supet. Por, kur ngarkesën na e vendos mbi shpatulla dora e huaj, do të vuajmë dhe, të mundur prej saj, do ta lëmë të bjerë qysh në hapat e para. Më kot do të përpiqemi të qëndrojmë më këmbë, sepse do të lëkundemi, ngaqë nuk jemi në gjendje ta mbajmë atë peshë. Mëso, që e njëjta gjë ndodh me detyrat shoqërore dhe shtëpiake. Çështjet që janë të lehta për t’u shqyrtuar, e ndjekin pas atë që i merr përsipër; ato që nuk jemi në gjendje t’i trajtojmë, nuk na binden për t’i drejtuar me lehtësi; në qoftë se ndokush i merr përsipër, ato e shtypin dhe e tërheqin zvarrë atë; ai që beson se mund t’i mbajë, rrëzohet bashkë me to. Kështu. në vend që të
ndërmarrim gjëra të lehta, kërkojmë të na duket e lehtë ajo që kemi ndërmarrë, duke shpenzuar, shpesh pa dobi, thesare të tëra energjie.Para se të veprosh, mat me kujdes forcat e tua, mat atë që duhet të bësh dhe mjetet që do të përdorësh për t'ia arritur këtij qëllimi; përndryshe, do të vuash nga keqardhja që nuk e shpure dot deri në fund qëllimin tënd. Ndryshimi ndërmjet një njeriu që zien përbrenda dhe një njeriu të ftohtë e të dobët është se, dështimi do të ngjallë zemërim te njeriu me gjallëri, dhe dëshpërim te njeriu i plogësht e i venitur. Si rrjedhim, duhet pasur kujdes që të mos bëjmë veprime meskine, kokëkrisura ose të tepruara; të mos shpresojmë për asgjë që nuk mund të arrihet; të mos përpiqemi për asgjë, suksesi i së cilës, megjithëse nuk vonon, është një arsye për t’u habitur.