Thursday, December 22, 2016

Pasojat e zemërimit

Ka ndodhur që disa njerëz, të pushtuar nga zemërimi, të kenë qëndruar përpara pasqyrës. Ata janë habitur me ndryshimin e madh që kishin pësuar. Përballë vetes, nëse mund të thuhet kështu, ata nuk e kanë njohur vetveten. Ndërkaq, pasqyra nuk e tregon të gjithë shëmtimin e tyre! Në qoftë se një lëndë çfarëdo mund ta pasqyrojë njeriun ashtu siç është, ne do të ngatërroheshim po ta shikonim atë aq të zi, të djersitur, duke shkumëzuar, duke “ përpëlitur, të buhavitur. Shëmtimi i tij bëhet shumë i madh, kur përshkon kockat, mishin dhe shumë pengesa të tjera. Ç'do të ndodhte sikur ai të shfaqej me gjithë lakuriqësinë e tij? Është e drejtë të mendohet se pasqyra nuk ia ka shuar askujt zemërimin. Po pse? Sepse ai që del përpara saj me qëllim që të rigjejë qetësinë e vet, e ka gjetur tashmë. Gjithashtu, për njerëzit e zemëruar, një figurë e lemerishme dhe e neveritshme është më e bukura nga të gjitha; ndaj, ata duan që t’i shohin ashtu siç jane. Le të mendojmë më mirë për numrin e atyre që janë bërë viktima të zemërimit të tyre. Në një valë zemërimi, disa kanë prerë venat; të tjerë kanë pështyrë gjak pasi kanë sokëllitur fort; një vërshim i fuqishëm i lëngut të tëmthit ua ka prishur pamjen, dhe sëmundja ka filluar përsëri tek ata që kishin nisur të shëroheshin. Asnjë udhë tjetër nuk shpie më shpejt në çmenduri.Prandaj, për shumë prej tyre, prishja mendsh ka qenë një vazhdim i zemërimit: ata e humbën arsyen dhe nuk e gjetën më. Dikush ia detyroi vdekjen e tij çmendurisë, dhe çmendurinë zemërimit .Njerëzit e zemëruar urojnë për fëmijët e tyre vdekjen, për vetveten mjerimin, për shtëpitë shkatërrimin, megjithatë ata e mohojnë zemërimin e tyre, ashtu si të çmendurit çmendurinë e tyre. Armiq të miqve të tyre më të mirë, të frikshëm për të afërmit e tyre, shpërfillës të ligjeve, me përjashtim të atyre që mund të bëjnë dëm, të shqetësuar edhe nga era më e lehtë, armiqësorë ndaj fjalëve dhe punëve të mira, ata veprojnë vetëm me dhunë, duke qenë të gatshëm të godasin me arme të tjerët ose t’ia kthejnë këtë vetes.
Ç’është e vërteta, njerëzit e zemëruar janë viktima të një të keqeje, që është më e tmerrshmja nga të gjitha të këqijat, dhe të një vesi, që është më i keqi nga të gjitha veset. Disa prej këtyre depërtojnë në shpirt pak nga pak, kurse zemërimi e pushton atë papritur dhe plotësisht. Shkurt, ky ves i nënshtron të gjitha veset e tjera. Ai mund edhe dashurinë më të zjarrtë: dashnorë të verbuar nga zemërimi kanë goditur me thikë një trup të dashur dhe më pas janë hedhur në krahët e viktimës së tyre. Zemërimi nënshtron koprracinë, të keqen më të qëndrueshme dhe më të pashërueshme, duke e detyruar t’i shpërndajë pasuritë e saj, të djegë banesën e saj dhe gjithçka të mirë që kjo ka brenda. A nuk është parë ndonjëherë që ambiciozi ne zemerim e siper të refuzoje Zotin që adhuronte dhe të mos pranojë keshillat që i bëhen? Nuk ka asnjë dëshirim që zemërimi të mos e sundojë.