Nuk ndodh që njeriu i urtë të nxehet nga gabimet. Pse? Sepse ai është i ndërgjegjshëm që urtësia nuk lind, por fitohet. Ai e di që një numër fare i vogël njerëzish, përgjatë gjithë shekujve, arrijnë të ngrihen deri tek Urtësia, sepse ai e ka para syve kushtin e jetës njerëzore dhe e di që një njeri me mend në kokë nuk zemërohet me natyrën. A habitet ndokush që shkurret e egra nuk bëjnë fruta, që ferrat dhe gjembat nuk japin asgjë të ngrënshme? Askush nuk zemërohet me "papërsosmërinë" e përligjur të natyrës. Prandaj njeriu i urtë, që është i qetë dhe i drejtë ndaj gabimeve tona, që nuk është armik, por kujdestar i fajeve tona, çdo ditë, para se të dalë, thotë me vete: “Do të takoj shumë njerëz: ca të dhënë pas alkolit, ca të shthurur, ca mosmirënjohës, ca koprracë, shumë të tjerë të shqetësuar nga forca e zilisë.” Të gjitha këto të këqija, ai do t’i shikojë me një sy të qetë, si syri i mjekut kur viziton të sëmurët e tij.
A inatoset kapiteni me marinarët dhe me anijen, kur kjo fut ujë nga të gjitha anët? Ai përpiqet t’u bëjë ballë dëmtimeve, ta pengojë ujin të futet brenda, të boshatisë mjediset ku ky ka arritur të depërtojë, të mbyllë çarjet e dukshme, të luftojë papushim kundër rrjedhjeve të fshehta që përmbytin hambarin e anijes, dhe nuk e humbet besimin kur sheh ujin të vazhdojë të ngjitet, deri sa ta ndërpresë atë.
Duhet luftuar pa u lodhur kundër të këqijave që vijnë varg njëra pas tjetrës, jo me qëllim për t’i zhdukur ato, por për t’i penguar që të mos ngadhënjejnë.