Denoje te keqen jo pse u be por mos te behet perseri.
Ilaçi më i mirë është koha. Mos i kërko zemërimit te falë menjëherë, por që të mendojë. Sulmet e tij të para janë të fuqishme; por ai do të bjerë shumë, po ta bësh të presë. Mos u përpiq ta mbytësh zemërimin qysh me goditjen e parë; atë do ta mundësh. duke e sulmuar pjesë-pjesë. Disa veprime që na fyejnë, na i kanë rrëfyer të tjerët, disa të tjera i kemi dëgjuar ose i kemi parë vetë. Për ato që na i kanë treguar të tjerët, nuk duhet të nxitohemi për t’i besuar: shumë njerëz gënjejnë, sepse duan të na mashtrojnë, shumë të tjerë sepse janë të mashtruar. Njëri do të lëshojë një padi për të përvetësuar të mirat që bën ti dhe për të sajuar një fyerje, që të ketë mundësi të shtiret si i zemëruar. Një tjetër do të dojë ligësisht të prishë miqësitë e qëndrueshme. Një tjetër, ende, do të sajojë një lojë ose një shfaqje me qëllim që të shikojë nga larg dhe pa rrezikuar veten, ata që ai i ka kurdisur njëri kundër tjetrit.
Në qoftë se do të të duhej të zgjidhje një mosmarrëveshje për një shumë të vogël parash, ti nuk do t’i pranoje faktet pa një dëshmitar, dhe këtë dëshmitar, nuk do ta dëgjoje po të mos bënte një betim; ti do t’u jepje fjalën të dyja palëve; të dyjave do t’u jepje kohë dhe të dyja do t'i dëgjoje shumë herë, sepse sa më shumë të rrihet e vërteta, aq më qartë shfaqet ajo. A e dënon ti një mik atypëraty? A do të zemëroheshe kundër tij, para se ta dëgjoje, Para se ta pyesje, para se ai të njihej me krimin e vet dhe me atë që e ka kallëzuar? Edhe vetë kallëzuesi do të heshtë, në qoftë se do t'i duhet t'i provojë thëniet e veta: “Nuk ka pse ta nxjerrësh emrin tim, do të hidhet të thotë ai; në qoftë se ti mbrohesh, duke më nxjerrë mua përpara, unë do të mohoj gjithçka, ose përndryshe nuk do të të them asgjë, kurrë më. Ai i bën bisht betejës dhe luftës, që i ka nxitur vetë. Duke dashur të flasë vetëm në fshehtësi; ai nuk arrin të tregojë asgjë. A nuk është gjëja më e padrejtë që t’i besosh dikujt kur je vetëm për vetëm me të, dhe të zemërohesh kundër tij në praninë e të gjithëve?
Ndonjëherë, edhe neve na thërrasin si dëshmitarë. Në këtë rast, duhet të shqyrtojmë karakterin dhe qëllimin e fajtorit. Për kë bëhet fjalë? Për një fëmijë? Le t’ia falim kësaj moshe: fëmija nuk e kupton se ç’është e keqja. Për një baba? Ose ai na ka bërë kaq shumë të mira, saqë e ka fituar vetë të drejtën për të na fyer, ose ne e shikojmë si fyerje edhe një shërbim që ai na bën. Për një grua? Gruaja gabon. Mos është fjala për një urdhër? Duhet të jesh shumë i padrejtë që të sulmosh nevojën. Për një hakmarrje? Epo, nuk është fyerje të pësosh atë që u ke bërë të tjerëve. Atëherë bëhet fjalë për një gjykatës te ndershem? Besoji më shumë thënies së tij, sesa tëndes! Për një mbret? Në qoftë se ai të quan fajtor, nënshtroju drejtësisë, dhe në qoftë se je i pafajshëm, nënshtroju caktimit. Është fjala për një kafshë apo për një qenie tjetër që, gjithashtu, është e zhveshur nga arsyetimi".Ti e shkerben ate,duke u zemeruar.
Behet fjale per nje semundje apo per nje fatkeqësi? Këto do të kalojnë më lehtë nëse do të dish t’i durosh. Bëhet fjalë për Zotin? Koha që do të humbasësh për t’u zemëruar kundër Tij është e barabartë me kohën që do të të duhej për t’iu lutur kundër dikujt padrejtesise. A vjen fyerja nga një njeri i mirë? Nuk besoj aspak. Nga një njeri i lig? Mos u habit për këtë; megjithatë, një tjetër do t’ia kthejë të keqen që të ka bërë, prandaj, duke kryer këtë veprim, ai ka dënuar tashmë vetveten. Siç kam thënë, zemërimi ngjallet në dy raste: së pari, kur ne mendojmë se na kanë fyer dhe së dyti, kur ne vlerësojmë se kjo fyerje ka qenë e padrejtë dhe pikërisht këtë duam të shqyrtojmë tani. Njerëzit flasin për padrejtësi, kur pësojnë gjëra që nuk i kanë hak ose gjëra që i kapin në befasi. Të këqijat e papritura na duken të pamerituara.Si rrjedhim, ajo që vjen duke zhgënjyer pritjet dhe shpresat tona, na shkakton shqetësim të thellë; kjo është arsyeja që ndërsehemi kundër njerëzve dhe miqve tanë për një diçka të kotë dhe që e quajmë fyerje qëndrimin e ftohtë të miqve tanë. “Pse na prekin po kaq shumë edhe fyerjet e armiqve?” Sepse ato nuk i prisnim, të paktën në një trajtë kaq të rëndë. Ja, pra, se ç’fryt jep një sedër e tepruar. Ne mendojmë se duhet të jemi të paprekshëm edhe nga armiqtë
tanë; çdonjëri nga ne ka në vetvete shpirtin e një mbreti: mbreti do që ta ushtrojë pushtetin e tij, por nuk pranon që të tjerët të kenë pushtet mbi të. Pra, ne jemi gjaknxehtë, sepse jemi arrogantë ose ngaqë nuk e njohim realitetin .Në të vërtetë, çfarë ka të habitshme që një njeri i keq të bëjë keq? Çfarë ka të çuditshme në qoftë se një armik na dëmton dhe një mik na lëndon, në qoftë se një bir është moskokëçarës dhe një mik gabon? “Nuk kam menduar ndonjëherë për këtë.” Fabiusi ( Gjeneral Romak) thoshte se një gjeneral nuk do të mund të gjente arsye më të shëmtuar se kjo; vërejtje që, sipas meje, është e vlefshme për çdo njeri. Mendo për gjithçka, prit gjithçka; edhe njerëzit e virtytshëm do të shfaqin ndonjë rreptësi. Gjinia njerëzore prodhon njerëz të pabesë, mosmirënjohës, grabitës, të pafe. Kur të gjykosh zakonet e një njeriu, mbaj parasysh zakonet e një numri të madh njerëzish.
Frikën më të madhe, ti do ta kesh në kulmin e gëzimit. Kur gjithçka të duket e qetë, forcat dëmtuese janë aty, të përgjumura. Thuaj me vete që do të gjendet gjithmonë diçka për të cilën do të të fyejnë. Një kapiten, sado i sigurtë që të jetë, nuk e hap kurrë velën të plotë, pa qenë i parapërgatitur për ta mbështjellë përsëri atë me shpejtësi.Mendo para së gjithash se nevoja për të bërë dëm është e tmerrshme. e urryer dhe plotësisht e huaj për zemrën njerëzore, e cila është e aftë të zbutë edhe kafshët më të egra. Shiko se si e ulin qafën nën zgjedhë elefantët, se si demat i lejojnë gratë dhe fëmijët t’u kërcejnë mbi kurriz pa i dëmtuar, se si gjarpërinjtë mblidhen midis bishtit e barkut për t’u hequr rrëshqanthi pa bërë asnjë të keqe, se si arinjtë dhe luanët e zbutur e shtrijnë me durim turirin dhe perkëdhelin me të zotërinë që i ledhaton: ti do të skuqesh që i ke këmbyer disa zakone me kafshët!
T’i bësh keq atdheut tënd, është dhunim i diçkaje të shenjtë; t’i bësh keq një bashkështetasi, është gjithashtu mallkim, sepse ai është pjesë e atdheut (në qoftë se e tëra është e shenjtë, edhe pjesët e saj nuk janë më pak.) Si rrjedhim, është e shëmtuar të keqtrajtosh një njeri, pasi ky është bashkëqytetari yt brenda një qyteti të madh. Çfarë do të ndodhte nëse duart do të zemëroheshin me këmbët, me sytë, me njëra-tjetrën? Ndërmjet gjymtyrëve të trupit njerëzor sundon harmonia, sepse ato duan ta ruajnë njëra-tjetrën për të mirën e tyre. Kështu, edhe njerëzit duhet ta ruajnë njëri-tjetrin, sepse ata janë bërë për të jetuar së bashku; shoqëria njerëzore nuk mund të mbijetojë përveçse me anë të mbrojtjes dhe dashurisë së ndërsjellë të elementeve të saj. Ne nuk do t’ua shtypnim kokën as nepërkave, as gjarpërinjve, as çdo krijese tjetër, kafshimet dhe goditjet e të cilave janë të dëmshme për ne, në qoftë se do të mundnim t’i zbutnim ata dhe t’i bënim të parrezikshëm si për njëri-tjetrin ashtu dhe për veten tonë. Pra, ne e dënojmë dikë jo për shkak të gabimit që ka bërë, por me qëllim që ai të mos gabojë më. Dënimi do të shërbejë si urë lidhëse jo me të kaluarën, por me të ardhmen; ai do të jetë vepër e parashikimit dhe jo e zemërimit. Po të duhej të dënonim natyrat e llastuara dhe ato keqbërëse, asnjë nuk do t’i shpëtonte goditjes së ndëshkimit.