Ti zemërohesh që vartesi yt dhe punetori i liruar, që gruaja jote dhe klienti yt guxojnë të të kthejnë përgjigje; më pas, ankohesh që nuk gjete në shtet atë liri që e përzure nga shtëpia jote! Dhe pastaj, ti trajton si kokëkrisur atë që nuk u përgjigjet pyetjeve të tua! Lërini njerëzit tuaj të flasin, të heshtin, të qeshin të qajnë ! “Faqe zotërisë?” Jo, përpara babait të familjes. Pse duhet të thërrasim, të ulërijmë, të kërkojmë kamxhikun në mes të bukës, për arsye se punëtorët po kuvendojnë, për arsye se në këtë sallë plot me qenie njerëzore, nuk sundon një heshtje varri? Veshët e tu nuk janë për të dëgjuar vetëm muzikë, vetëm tinguj të ëmbël, kapitës e të harmonishëm; atyre u duhet të dëgjojnë edhe të qeshurat e të qarat, lajkat e qortimet, lajmet e mira dhe lajmet e këqija, zërat njerëzorë dhe hungërimat e lehjet e kafshëve. Pse kërcen, more fatkeq, sapo dëgjon zërin e një vartesi, tringëllimën e një zileje ose kërcitjen e një dere? Aq i stërholluar saje ti, do të të duhet shumë mund për të duruar shpërthimet e bubullimave.Këtë, që sapo thashë për veshët, zbatoje tani për sytë! Edhe këta nuk janë as më pak të sëmurë dhe as më pak tekanjozë se veshët. Sytë i lëndon një njollë, një grimcë pluhuri, shkëlqimi i një cope argjendi që ndrit më pak se një pasqyrë, shkëlqimi i një sipërfaqeje uji që nuk është i tejdukshëm deri në fund. Këta sy, që nuk durojnë dot mermerin shumëngjyrësh dhe tryezat e drurit të sapondritura, që nuk durojnë dot qilimat e qëndisur me fije ari, durojnë shumë mirë kur shikojnë jashtë rrugica me baltë e gropa-gropa, kalimtarë shpesh të
palarë, mure ndërtesash të gërvishtur e të ndotur, të plasaritur e gunga-gunga. Si ndodh që ajo që na e vret syrin brenda shtëpisë, nuk na lëndon jashtë në rrugë? Sepse jashtë jemi të duruar dhe me humor, kurse brenda jemi gërnjarë e të zymtë.
Duhet t’i kalitim të gjitha shqisat tona; këto, duke qenë të forta nga natyra,i prish vetëm shpirti. Këtij duhet t’i kërkojme llogari çdo ditë. Këtë bënte nje i ditur cdo mbrëmje, tërhiqej në dhomën e gjumit dhe, para se të flinte, pyeste shpirtin: “Nga çfarë e mete ke shpëtuar sot? Cilin ves ke luftuar? Për çfarë je tani më i mirë?” Zemërimi do të ndalet dhe do të përndryshohet, në qoftë se duhet të dalë çdo ditë para gjykatësit të tij. S'ka gjë më të bukur se ky zakon, që të kalosh çdo ditë në sitë! Ç’gjumë që vjen pas këtij hetimi të ndërgjegjes! Sa i qetë, i lirë dhe i thellë që është ai, kur shpirti është lëvduar ose qortuar. kur ai e ka hetuar vetveten si një kujdestar i fshehtë i zakoneve të veta! Unë e përdor këtë fuqi dhe mbroj çdo ditë çështjen time para vetvetes. Kur pishtarët janë shuar dhe gruaja ime që e di prej kohësh zakonin tim ka heshtur, unë mbikëqyr ditën time dhe nxjerr para mendjes veprimet dhe fjalët e mia; nuk i fsheh asgjë vetes, nuk heq asgjë. Në të vërtetë, pse duhet të trembem nga ndonjë gabim i imi, kur mund t’i them vetes: “Përpiqu të mos e bësh përsëri; kësaj here të kam falur. Ti merr zjarr shumë nga ky kuvendim; që sot e tutje, mos u grind me ata që janë të paditur; ata që nuk kanë vënë mend asnjëherë, nuk duan të mësojnë. Ti e ke qortuar këtë njeri më ashpër seç duhej; si rrjedhim, në vend që ta ndreqje, e ke lënduar. Në të ardhmen, mos u kënaq të shikosh nëse e ke shprehur mirë të vërtetën: shiko nëse bashkëfolësi yt është në gjendje të të ndjekë. Një njeri i virtytshëm i çmon qortimet; porse, sa më të shumta të jenë veset, aq më pak pranohen qortimet.”