Friday, December 23, 2016

Ilaci i zemërimit

Si mund te mjekohet zemërimi?
Këtë duhet ta vendosim në përputhje me karakterin e çdo njeriu të zemëruar. Disa prej këtyre i çarmatos lutja, por ka dhe nga ata që lutjes i përgjigjen me fyerje dhe kërcënime ; disa të tjerë i qetëson frika ; të tjerë edhe zmbrapsen nga qortimet; disa përmbahen vetëm nga një pohim, të tjerë nga turpi, dhe të tjerë ende qetësohen me kohë; koha është një bar mjekues me veprim shumë të ngadaltë, por i fundit që duhet përdorur për këtë gjakim kaq të rrëmbyer. Ç’është e vërteta, dëshirimet në përgjithësi pranojnë një afat më të gjatë trajtimi. Por, zemërimi ndizet dhe merr përpara dhunshëm. Ai nuk rritet dalëngadalë, por shpërthen menjëherë në të gjithë gjerësinë e vet. Ai nuk e josh njeriun, siç bëjnë veset e tjera, por e rrëmben atë dhe e nxjerr jashtë vetes, e mbërthen me një dëshirë të pamatë për t’i bërë dëm, si atij, ashtu edhe të tjerëve. Vrulli i tij nuk rrëmben furishëm vetëm atë që ndjek, por gjithçka që i del përpara. Ndërsa veset e tjera e shtyjnë njeriun drejt greminës, zemërimi e bën atë të nxitojë drejt saj. Dëshirimet tona, sado të papërmbajtshme që të jenë, mund të bëjnë ndonjë pushim të vetvetishëm; zemërimi, përkundrazi, bëhet gjithmonë e më i fortë, njëlloj si vetëtima, si stuhitë dhe gjëmat e tjera natyrore, të cilave nuk mund t’ua ndalim vrapin ose, më saktë, nuk mund t’ua pengojmë rënien. Ndërsa disa vese i largohen arsyes, zemërimi i largohet shëndetit mendor ;
ndërsa disa vese fitohet dalëngadalë dhe rriten pa u ndier, zemërimi për njerëzit, është vetë humnera. Asnjë kercenim nuk është më i rrufeshëm se ai, asnje forcë nuk është më vepruese se ai; në qoftë se arrin t’ia dale mhane, zemerimi bëhet arrogant; në qoftë se deshton, ai çmendet. Zemërimi nuk druhet nga fatkeqësitë; kur rasti ia fsheh kundërshtarin, ai kafshon vetveten. Pak rëndësi ka se si lind zemërimi: edhe arsyet më të kota e shpien atë drejt vrullimesh nga më të rëndat.