Monday, December 26, 2016

Kur zemerimi del jashte kontrollit

Lufto kundër vetvetes! Zemërimi nuk do të të mundë, në qoftë se ti do që ta mundësh atë! Dhe do të fillosh të ngadhënjesh mbi të, kur të nisësh ta fshehësh, kur ta pengosh atë të dalë në dritë. Duhet t’i mbytim shfaqjet e tij, duhet t’i mbajmë të fshehta ato sa më shumë që të jetë e mundur. Kjo nuk do të arrihet pa mundim, sepse zemërimi do të kërkojë të shpëtojë, do të kërkojë të të ndezë shikimin dhe të të prishë fytyrën; dhe në qoftë se e lemë të dalë jashtë, ai do të na mundë. Ne duhet ta shtypim zemërimin në thellësitë më të mëdha të shpirtit tonë, të mposhtur ose të pamposhtur. Madje, duhet të bëjmë më shumë: duhet t’i kthejmë përmbys të gjitha shenjat e tij: fytyra duhet të duket më e qetë, zëri më i ëmbël, hapi më i shtruar; pak nga pak, brendësia e njeriut merr trajtën e pamjes së jashtme.
Kur Sokrati e ulte zërin dhe fliste më pak, kjo ishte shenjë e zemërimit të tij. Shihej qartë që ai përpiqej ta mbante atë përbrenda. Miqtë e tij të afërt, që ia kishin pikasur këtë, ia përmendnin; megjithatë, qortimi i tyre për një zemërim të fshehtë nuk ishte i papëlqyer për Sokratin. Përse të mos ishte gazmor, kur shumë e ndienin zemërimin e tij, por askush nuk e pa atë të shfaqej ndonjëherë? Do ta kishin parë, në qoftë se Sokrati nuk do t’u kishte dhënë miqve të tij të drejtën për t’ia qortuar zemërimin, ashtu siç ai ia kishte lejuar vetes të bënte me ta!A nuk duhet që edhe ne të bëjmë të paktën kaq? Le t’u kërkojmë miqve tanë më të dashur ta përdorin me ne këtë liri, sidomos atëherë kur do të jemi më pak në gjendje ta durojmë atë. Ata nuk duhet ta pranojnë zemërimin tonë. Le t’u kërkojmë atyre ndihmë kundër kësaj të keqeje shumë të madhe, që shihet qartë për aq kohë sa nuk na mungon mirëkuptimi dhe zotërimi i vetvetes.
Ata që nuk e mbajnë verën dhe kanë frikë nga gjallëria e papërmbajtshme dhe guximi i tepruar që shkakton dehja e saj, ua ngarkojnë miqve të tyre detyrën për t’i larguar nga gostia. Ata që e kanë provuar se nuk e kanë veten në dorë, kur janë në gjendje krize, ua urdhërojnë miqve mosbindjen. Më e mira është që t’u ngremë pengesa veseve tona qysh përpara dhe, para së gjithash, ta përgatitim shpirtin që të mos rrëmbehet, as kur të tronditet nga goditjet më të rënda e më të papritura. Gjithashtu, ne mund ta përgatitim atë që të ndrydhë brenda tij çdo zemërim, që vjen papritur nga një fyerje e madhe e paparashikuar, duke mos lënë të shihet veprimi i tij.Do ta shikosh që kjo është e mundur; dhe unë do të ta vërtetoj me shembuj të nxjerrë nga një mijë të tillë, që do të na lejojnë të tregojmë të gjithë të keqen që mund të bëjë zemërimi, duke nxjerrë në pah dy të vërteta: sa i madh është dëmi i zemërimit, kur është në përdorim të njerëzve të plotfuqishëm; sa e pamundur është për zemërimin që të drejtojë veten, kur shtypet nga një frikë më e madhe se ai.

Mbreti Kambiz ( Mbret i Persise) ishte shumë i dhënë pas verës. Njëri nga miqtë e tij, Prekzaspi e këshillonte që të pinte më pak, duke i thënë se, të dehesh, është e turpshme për një mbret mbi të cilin përqendrohen sytë e veshët e të gjithëve. Kambizi iu përgjigj: “Që ta kuptosh se unë e zotëroj gjithmonë veten, do të të vërtetoj qysh tani që, sytë dhe duart më binden edhe pasi kam pirë.” Më pas, ai filloi të pinte më shumë se zakonisht, me kupa edhe më të thella të mbushura plot; i thirri djalit të qortuesit të tij që të dilte përpara të gjithëve dhe e urdhëroi që ta mbante dorën e majtë të ngritur mbi kokë. Më pas, tendosi litarin e harkut të tij, përshkoi me shigjetë zemrën e djalit të ri dhe pastaj, duke i çarë gjoksin, tregoi shigjetën, që kishte hyrë drejt e në atë organ, që ai kishte shënjuar. Në fund, u kthye nga i ati i djalit dhe e pyeti nëse kishte dorë shumë të sigurtë. I ati iu përgjigj që edhe Apolloni nuk do të kishte gjuajtur më mirë.