Shkaku i zemërimit është mendimi që neve na kanë fyer, mendim të cilit nuk duhet t’i besojmë lehtësisht. Nuk duhet ta pranojmë menjëherë pamjen e jashtme, sepse shpesh e pavërteta duket si e vërtetë. Duhet gjithmonë t'i japim vetes një afat: koha bën që e vërteta të dalë në shesh. Të mos i presim me butësi fajësimet. Duhet të ruhemi nga ky huq i natyrës njerëzore, që na bën të besojmë me gjithë dëshirë atë që e dëgjojmë pa vullnetin tonë dhe që na bën të zemërohemi, përpara se mendja të nisë të mendojë. Çfarë mund të themi, kur nuk jemi stërvitur me fajësime, por vetëm me dyshime; kur mbushemi me zemërim kundër të pafajshmëve, sepse kemi keqkuptuar një vështrim apo një buzëqeshje të tyre? Për të mbrojtur çështjen e atij që nuk është i pranishëm, duhet të paditim vetveten dhe ta mbajmë pezull zemërimin. Një vendim për ndëshkim mund të shtyhet për më vonë, por, me t’u dhënë, ai bëhet i pakthyeshëm.
Ai që bën më shumë dëm është lehtëbesimi. Prandaj, shpesh, nuk duhet as të dëgjojmë: për disa gjëra, ia vlen më mirë të jesh i gënjyer sesa të dyshosh. Duhet ta largojmë nga mendja dyshimin dhe hamendësimin, të cilat nxitin pa të drejtë zemërimin: “Ky nuk më përshëndeti me mirësjellje; ai më përqafoi shumë ftohtë; ai tjetri i dha fund bashkëbisedimit tonë në mënyrë të papritur; ky këtu nuk më ftoi për darkë; ai atje dukej sikur donte të më shmangte." Do, të ketë gjithmonë një mijë vjega për dyshimet tona. Gjërat, duhet t'i shikojmë me thjeshtësi dhe t’i gjykojmë me dashamirësi. Besë, duhet t’i zëmë vetëm asaj që na shfaqet para syve dhe që duket qartë; sa herë që një dyshim do të na duket i pathemeltë, për këtë duhet të qortojmë lehtëbesimin tonë; ky qortim do të na e bëjë zakon që të mos besojmë menjëherë. Nga ky mjekim, del një tjetër: të mos acarohemi kot së koti për gjëra pa vlerë dhe për vogëlsira si: ky apo ajo është shumë i ngadaltë, uji që më sollën nuk është shumë i freskët, krevatin ma kanë rregulluar keq, tryeza është shtruar keq; është çmenduri të inatosesh për kaq pak gjë. Duhet të jesh i sëmurë ose i dobët që të dridhesh edhe nga korrenti më i vogël i ajrit; duhet t’i kesh sytë të lodhur që të mund të verbohesh nga ngjyra e bardhë e një veshjeje; duhet të bësh një jetë të shthurur që të të sëmbojë në ijë, kur sheh të tjerët që punojnë!
Kur kënaqësitë kanë brejtur trupin dhe shpirtin bashkë, gjithçka që na rrethon na duket e padurueshme, për shkak jo të ashpërsisë, por të squlljes sonë. Në të vërtetë, përse duhet të tërbohemi nga zemërimi, për shkak të një kolle apo të një teshtime, për shkak të një mize që e dëbuan me vonesë, të një qeni që vjen vërdallë para nesh ose të një çelësi, që i bie nga duart një skllavi të pakujdesshëm? Ai, veshët e të cilit fyhen nga zhurma gërvishtëse e një banke, kur e tërheqin mbi dysheme, nuk mund t’i durojë në heshtje fyerjet e bashkëqytetarëve të vet, sharjet e lëshuara në Forum ose në Jetë . Ai që rrëmbehet kundër një kamarieri, se nuk e ka sherbyer mirë kafen , a mund ta durojë urinë dhe etjen gjatë jetes ne stinën e verës? Pra, asgjë nuk e ushqen më shumë zemërimin sesa limontia e një pasurie të tepruar; duhet ta mësojmë shpirtin me rreptësinë, me qëllim që ai të ndiejë vetëm goditjet dërrmuese.