Zemërimi nuk kursen asnjë moshë, nuk përjashton asnjë racë. Disa popuj, falë varfërisë së tyre, nuk i njohin teprimet; disa të tjerë, jeta endacake dhe e vrullshme që bëjnë, i mbron nga përtacia; ata që kanë zakone të rënda dhe shpien një jetë fshatare, nuk i njohin dredhitë, mashtrimin dhe gjithë të këqijat që pjell shoqëria; asnjë popull nuk mund të mos ndizet nga zemërimi, që ishte po aq i fuqishëm te Sirianet, që nuk është më pak i kobshëm si për ata që u tremben ligjeve, ashtu dhe për ata që kanë bindjen se forca bën ligjin. Së fundi, në qoftë se gjakimet e tjera godasin vetëm njerëz të veçantë, zemërimi është i vetmi që ndez nganjëherë një shtet të tërë. Kurrë ndonjëherë nuk është djegur mbarë një popull nga dashuria për një grua , kurrë ndonjëherë një qytet i tërë nuk i ka varur shpresat te lakmia për fitim dhe para ; zilia pushton vetëm njerëz të veçantë ; edhe mendjemadhësia nuk është kurrë fatkeqësi e përgjithshme.
Përkundrazi, zemërimi derdhet Shpesh në radhë të shtrënguara. Burra e gra, pleq e fëmijë, vulg e njerëz të mëdhenj janë të gjithë të bashkuar; dhe kjo turmë, e acaruar vetëm nga disa fjalë, ia ka kaluar tashmë edhe vetë acaruesit: pa pritur asnjë çast, ajo rrëmben armët ; ajo u shpall luftë fqinjëve të vet; ajo bën luftë me bashkëqytetarët e vet; shtëpi të tëra gllabërohen nga zjarri bashkë bashkë me familjet e tyre brenda; njeriu, gojëtaria joshëse e të cilit vlerësohej me shumë nderime, bie nën zemërimin që e nxiti ai vetë. Ushtaret kthejnë armët kundër komandantëve të tyre; të gjithë qeveritaret, pa përjashtim, shkëputen nga virtytet ; senati, zemra e shtetit, pa pritur të ngrejë trupa dhe të emërojë një komandant, cakton menjëherë ministrat e zemërimit të tij, ndjek shtëpi më shtëpi banorë të nderuar të qytetit dhe i dënon ata me dorën e vet“. Duke keqtrajtuar ambasadorët, është dhunuar e drejta e njeriut; një furi zemërimi e padëgjuar ngre më këmbë qytetin; pa i lënë kohë mërise shoqërore që të qetësohet, del në det flota me marinarë të rekrutuar nxitimthi; gjithë një popull, pa u shqetësuar as për traditat e as për mbrojtjen, del i udhëhequr nga zemërimi, rrëmben çfarë i bie në dorë dhe e paguan me gjëmë guximin e tepruar të mërisë së vet. I tillë është fati i barbarëve, që derdhen në luftime: kur ideja e një fyerje godet këto natyra të rrëmbyera, ato tronditen menjëherë dhe shkojnë atje ku i zvarrit mëria e tyre, përplasen me ushtrite si një masë që shkërmoqet pa rregull, pa kujdes dhe në kërkim të rrezikut; ata duan të marrin goditje, t’u dalin përpata plumbave dhe të vdesin nga plagët që i hapin vetvetes.
Për t’ia dalë që të mos rrëmbehemi, duhet të sjellim e risjellim në mendje të gjitha veset që nxit zemërimi si dhe ta përcaktojmë drejt atë. Duhet ta fajësojmë zemërimin, ta dënojmë, të shqyrtojmë me imtësi dëmet e tij dhe t’i nxjerrim këto në shesh. Me qëllim që zemërimi të shfaqet ashtu siç është, duhet ta krahasojmë me më të keqin e të gjitha veseve. Koprracia mbledh e grumbullon pasurira, prej të cilave një tjetër do të dijë të përfitojë më mirë. Kurse zemërimi shpie në dëm, dhe janë të rrallë ata të cilëve nuk u kushton shtrenjtë. Sa shumë te puntore ka shtyrë drejt arratisë ose drejt vdekjes një pronar gjaknxehtë! Ky ka vuajtur shumë më tepër nga gjakimet e veta, sesa nga arsyet që i nxitin ato.
Për shkak te zemerimit, nje baba eshte ne zi ; një burrë ndahet nga gruaja, një shtetar vlon nga urrejtja dhe një kandidat peson deshtim . Zemërimi është më i keq edhe se epshi, sepse ky u gëzohet kënaqësive të veta, kurse ai dhembjes së të tjerëve. Zemërimi ia kalon edhe ligësisë e zilisë, sepse, ndërsa këto e dëshirojnë të keqen e tjetrit, zemërimi ia bën atij këtë; ndërsa ligësia dhe zilia gëzohen me të papriturat e paparashikueshme nga njeriu, zemërimi nuk pret që njeriun ta godasë fati ( caktimi) ; ai jo vetëm kërkon të keqen e njeriut të cilin e urren, por do, gjithashtu, që këtë t’ia bëjë me duart e veta.
Nuk ka gjë më të kobshme se armiqësitë, dhe ai që i mbjell këto është zemërimi; nuk ka gjë më vdekjeprurëse se luftërat, dhe këto janë shprehje e tërbimit të të fuqishmëve; edhe zemërimi i te urteve e i çdo njeriu të vetëm është një luftë, por pa armë e pa ushtarë. Ka dhe më: edhe sikur t’i përjashtojmë pasojat e menjëhershme, paragjykimet, dëmet, dhe shqetësimin e vazhdueshëm që shkaktojnë luftimet e dyanshme, zemërimi dënon vetveten. sepse kërkon hakmarrje; zemërimi e mbyt zërin e natyrës njerëzore: kjo nxit dashurinë, kurse zemërimi urrejtjen; natyra njerëzore jep urdher per të ndihmuar të ngjashmin e vet, kurse zemerimi për ta dëmtuar atë.