Zgjidhe shoqerine dhe vendin qe te përmirëson.
Duhet ta shmangim me kujdes një fyerje, që nuk dimë ta durojmë. Duhet të bëjmë shoqëri me njerëz të qetë e të butë dhe jo me njerëz të ngrysur e të shqetësuar; njeriu merr zakonet e rrethit në të cilin jeton, dhe ashtu si disa sëmundje të trupit fitohen me anë të takimit të drejtpërdrejtë, ashtu edhe shpirti ia përçon veset e veta kujtdo që i afrohet.Pijaneci i mëson të ftuarit e tij ta duan veren; shoqëria me njerëzit e shthurur molit edhe guximtarët, madje dhe heronjtë; kopracia përhap helmin e vet mes atyre që e rrëthojne.
Virtytet, megjithëse nga ana e kundërt, kanë një veprim të ngjashëm me to. Ato e përçojnë butësinë tyre te gjithkush që u kalon pranë. Një klimë e përshtatshme dhe një ajër më i shëndetshëm nuk i ka bërë kurrë aq mirë një shëndetligu, saç i ka bërë një shoqëri më e mirë një njeriu të dobët. Ti do ta kuptosh sa i fortë është ky ndikim, në qoftë se shikon që edhe kafshët e egra zbuten, duke jetuar mes nesh, që edhe përbindëshit më të egër i dobësohet dhuna, kur ka jetuar për një kohë të gjatë me njeriun. Në një mjedis të qetë, çdo ashpërsi dobësohet dhe harrohet pak nga pak. Përveç kësaj, përmirësimi nuk vjen vetëm duke marrë si shembull njerëzit e qetë me të cilët jetojmë, por edhe sepse nuk ka më arsye për t’u zemëruar e për ta lënë këtë të metë që të shfrejë. Si rrjedhim, duhet t’u largohemi të gjithë atyre njerëzve, që dihet se janë të aftë të ngjallin zemërim.
“Po kush janë ata?” Janë të gjithë ata njerëz që, për arsye të ndryshme, do të na lënë të njëjtën përshtypje: njeriu hundëpërpjetë do të na tronditë me përbuzjen e tij, njeriu thumbues me qesëndinë e tij, njeriu i pacipë me fyerjet e tij, ziliqari me ligësinë e tij, grindaveci me kundërshtimet e tij, karabushi dhe gënjeshtari me mburrjet e tyre; ti nuk do t’ia falësh vetes që të të frikësojë një njeri dyshues, që të të mundë një njeri kokëfortë, që të të përbuzë një karabush. Pra, duhet të zgjedhësh njerëz të thjeshtë, të butë, të arsimuar, që jo vëtëm nuk do ta ngacmojnë zemërimin tënd, por do ta durojnë atë. Gjithashtu do të përfitosh edhe më shumë nga shoqëria me njerëz që kanë një natyrë të thjeshtë,te sjellshme e të ëmbël, por jo lajkatare, sepse me dashamirësi te tepruar i fyen njerëzit gjaknxehtë . I tillë ka qenë njëri nga miqtë tane, njëri i shkëlqyer pa asnjë dyshim, por shume gjaknxehtë; ishte më e lehtë ta shaje, sesa ta lajkatoje.
Është e njohur tashmë që gojëtari Caleius ishte jashtëzakonisht gjaknxehtë. Thuhet se një ditë, ai po hante darkë në dhomën e tij të gjumit, bashkë me një të ftuar që dallohej për një durim të rrallë. Megjithatë ky, duke e ndier se me një bashkëfolës të tillë do ta kishte shumë të vështirë të parashikonte çdo keqkuptim, mendoi që, e mira e të mirave do të ishte që ta puqte gjithmonë mendimin e tij me atë të njeriut me të cilin po qëndronte gju më gju, dhe të pranonte të gjitha ato që do të thoshte ai. Caelius-i, i mërzitur nga monotonia e pohimeve të të ftuarit, thirri: “Kundërshtomë, pra, që të bëhemi dy veta!” E megjithatë, pas këtij humori, meqenëse tjetri nuk nxehej aspak, ai u qetësua menjëherë, sepse nuk kishte kundërshtar.
Pra, nëse jemi të ndërgjegjshëm për gjaknxehtësinë tonë, është më mirë të zgjedhim njerëz që u pershtaten humorit dhe fjalëve tona; Pa dyshim qe këta njerëz mund edhe të na llastojnë, të na bëjnë të fitojmë zakonin e keq që të mos i bindemi asgjëje që bie në kundërshtim me dëshirat tona; megjithatë, është gjë e mirë që t’i japim vesit tonë një pushim, pra, një çlodhje. Edhe natyrave të vështira e të panënshtrueshme u pëlqejnë fjalët e bukura. Një përkëdhelje nuk ngjall as ashpërsi, as frike.
Por, kur një diskutim nis e bëhet tepër i gjatë ose tepër i zjarrtë, duhet ta mbyllim menjëherë, përpara se ai të egërsohet; grindja ushqen grindje dhe i mbyt ata që futen në të: është më e lehtë të qëndrosh larg betejës qysh në fillim, sesa të dalësh prej saj më pas.