Tuesday, December 5, 2017

Festa

Sërish i vetëm. Si përherë, në raste festash, strukem diku dhe i bëj veshët katër. Uturima gjithandej. Zëra të përçudshëm përzier me krismat e barutit. Duhet të pres sa t’kalojë dehja njerëzore. Ndryshe s’kam ku të vë njëherë. Më duhet të pres. Në rrugën ku eci çdo mbrëmje, ka barut. Në parkun e qytetit dëgjohet zhurmë e madhe. S’kam ku të vë. Prej botës nuk dilet, edhe ashtu.

Nga qoshka ime këtu vë re prindërit. Të gjithë jemi të mërzitur. Pa përjashtim: unë këtu në strofull, edhe prindërit që gënjehen nga muzika, edhe ata atje që hedhin barut; po, të gjithë jemi të mërzitur. Njëriu ka shpikur gjithëfarë gjërash për ta mundur mërzinë. Festat, posepo. Veç më mirë lë të vazhdohet me festat. Ajo shpikja tjetër, si i thonë? Ah lufta, lufta e dreqit!. Njëriu do që ta mposhtë mërzinë edhe me luftë. Më mirë me festa, atëherë!.

Prindërit janë të mërzitur. E shoh qartë këtë. Me moshë, iluzionet zbehen; kjo mund të jetë arsyeja. Asnjëherë s’kam gjetur forcë t’i pyesë se çfarë mendojnë për vdekjen; shkakun e mërzisë së madhe. S’kam pasur guxim. Jo për vete, për ta. Ndjej se vdekja ua fut tmerrin dhe s’dua t’ua ndërmend. Edhe ashtu janë afër saj. Ndjej dhembje të madhe kur i shoh. Prandaj festat ma këpusin shpirtin. Sepse e di, e ndjej, çfarë fshihet pas barutit, pas mimikave të buzëqeshura. Ah sa shumë mërzi që ka në shpirt njëriu!

Sa do doja që t’i ndaja mendimet me të tjerët. Por s’do ta kuptonin. Njeriu s’do dhe s’do që ta pranoj një jetë pa lojë. Një jetë pa lojë është një jetë e vështirë. Aty ka vetëm vdekje, përballje dhe të tashme. Edhe ashtu s’kam të drejtë. Kush e di, mbase unë jam i çmendur. Më mirë po i mbaj mendimet për vete.