Unë jam një njeri jashtë mode edhe për faktin se i pranoj dhe nuk i urrej ndjenjat dhe ndjeshmërinë, megjithëse pyes veten: ç'gjë na mban gjallë në të vërtetë, ku e ka burimin jeta përveçse tek ndjenjat tona? E ç'më duhet një thes me para, një llogari e majme bankare, një veshje shik dhe një vajzë e bukur po qe se unë nuk i ndjej dhe nuk më prekin shpirtin? jo, megjithëse mund t'i urrej sentimentalizmat tek të tjerët, ndjej se në vetevete jam i prirur t'i dua dhe të kujdesem për to. Ndjenja, ëmbëlsia, prekja nga fërgëllimat e shpirtit, këto janë pasuria ime, me to duhet t'ia dal mbanë jetës. Nëse do t'ia kisha besuar jetën forcës së muskujve dhe të isha bërë mundës apo boksier, askush s'do të më kërkonte të shprehesha se fuqia e muskujve është e pavlerë. Po të isha i fortë në llogaritje dhe të isha drejtor i një zyre të madhe, askush sdo të
kërkonte nga unë të përbuzja aftësinë për të qenë i zoti në llogaritje. Por poetit i kërkojnë, dhe disa poetë të rinj ia kërkojnë vetvetes, pikërisht atë që bën poeti, aftësinë për të dashuruar dhe lektisur, për të provuar të padëgjuarën dhe jo normalen, për të urryer dhe për t'u turpëruar pikërisht për këtë forcë të tyren dhe për t’u mbrojtur nga gjithçka mund të quhet "sentimentale". Epo edhe mund ta bëjnë: por unë s'bashkohem me ta, parapëlqej njëmijë herë më shumë ndjenjat e mia se gjithë zotësinë e botës; vetëm ato më kanë mbrojtur, gjatë viteve të luftës me jetën, që të bashkohem me sentimentalizmin e guximit.