Saturday, December 9, 2017

Mësova se...

Çudia që zbulova këto ditë, këtu tek faqja, pasi bëra një eksperiment me disa citate është fakti që shumica reagojnë keq kur lexojnë diçka të keqe apo të gabuar.
Them çudi sepse reagimin e shoh vetëm kur postoj diçka që i ngacmon bindjet,ndërsa nuk reagojnë kur diçka është e vërtetë,e saktë apo që u pëlqen.
Pra,reagimi i keq është më i madh kur lexojnë keq.
Pse reagimi i mirë kur lexojnë mirë është i vogël ose të paktën të jetë njësoj si reagimi i keq?!
A thua se shpirti i njeriut është nga natyra revoltues ndaj të keqes dhe i përgjumur ndaj së mirës?
Nga ky eksperiment mësova se keqja rritet më shpejt nëse ushqehet më shumë sesa e mira.
Mësova se e mira tek njerëzit ka nevojë të nxitet më shumë sesa e keqja për të përmirësuar jetën tonë.
Mësova se e keqja frenohet nëse nuk e bëjmë objekt bisede të përditshme.
Mësova se shpirti revoltues nuk është pozitiv.
Mësova se shpirti paqësor kërkon të mbjellë pemë edhe në mes të dy zjarreve.
Mësova se njeriu nuk duhet të trembet nga e kundërta e bindjes së tij nëse kërkon zhvillim, por të trembet nga bindjet e tij nëse nuk janë të ballafaquara me jetën.
Mësova se për një çështje objektive ka gjykime të shumta subjektive sepse njeriu është zgjidhja e çdo problemi që kanë sjellë mes veti për shkak të gjykimeve të tyre.
Mësova se e vërteta objektive nuk ka nevojë të argumentohet por të gjitha bindjet njerëzore duhet të argumentohen patjetër.

Mësova se...