Tuesday, May 12, 2020

Do të doja

Njerëzimi nxiton të arrijë sa më shumë dhe sa më shpejt, pa mund dhe djersë ; nxiton të arrijë sukses, nxiton të kapë trenin, nxiton hajë, nxiton të blejë, nxiton të zbukurohet, nxiton të shëndoshet, nxiton të dobësohet, nxiton të jetojë, nxiton...për gjithçka që synon por...nxitimi nuk të jep asgjë në fund sepse asgjë nuk ke shijuar kur e arrin atë synim!
Jeta nuk është gjithçka që ke arritur apo ajo që synon të arrish. Jeta shijohet gjatë rrugëtimit drejt synimit, ngadalë, qetësisht, me durim, me dashuri, duke i marrë aromën gjithçkaje që prek, shijon dhe përjeton!
Çfarë vlere ka suksesi pa mund!? Asnjë shije nuk të jep ai sukses pa djersë dhe lodhje.
Një nga arsyet pse njerëzit nuk ndihen të lumtur  edhe pse kanë gjithçka, është pikërisht kjo gjë!

Do të doja që njerëzimi të ngadalësonte këtë ritëm të shpejtë, ta ndalonte një çast nga ky vrapon i çmendur dhe të reflektonte për gjithçka që e rrethon, për çdo gjë që posedon, për gjithçka që përjeton dhe të shohë me vëmendje njerëzit që ka pranë, ti njohë më mirë, të jetojnë me njëri tjetrin, jo të jetojnë mes njëri tjetrit sikur të jenë sende. Do të doja të fikeshin llambat dhe të ndizeshin qirinjtë.

Do të doja që njerëzit të marrin një libër dhe të nuhatin aromën e letrës, të shtrihen në bar dhe të bëhen pis, të lagen në shi me dëshirë, të ngrohen në zjarr aty jashtë, të hanë një copë bukë thatë duke e ndarë me njëri tjetrin, të ushqejnë një milingonë që e gjejnë në tavolinën e bukës, të fikin TV dhe të flasin për njëri tjetrin.

Do të doja që jeta të marrë kuptimin njerëzor, jo vlerën e teknologjisë!